Kryeministri Edi Rama ndodhet sot më 19 nëntor në Berlin, ku do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve” (Coalition of the Uilling), me ftesë të kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Takimi zhvillohet në Kancelarinë Federale të Gjermanisë dhe mbledh përfaqësues të nivelit të lartë për të diskutuar çështje që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin në Europë.
Pjesëmarrja e kryeministrit shqiptar në këtë tryezë vjen në kuadër të bashkëpunimit me partnerët europianë dhe aleatët strategjikë për çështjet e sigurisë dhe paqes. “Koalicioni i Vullnetmirëve” është një nismë bashkëpunimi mes vendeve që angazhohen për të koordinuar qëndrimet dhe mbështetjen e tyre në çështjet që lidhen me sigurinë europiane, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Ftesa e kancelarit Merz dhe pjesëmarrja e Ramës në këtë takim vendosin Shqipërinë mes vendeve të përfshira në diskutimet e nivelit të lartë për të ardhmen e sigurisë në kontinent. Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, prania e kryeministrit në këtë tryezë synon të riafirmojë angazhimin e Shqipërisë në krah të aleatëve dhe partnerëve të saj.
Takimi në Berlin zhvillohet në një moment kur siguria europiane mbetet në qendër të diskutimeve mes vendeve perëndimore, ndërsa koordinimi politik dhe bashkëpunimi mes aleatëve konsiderohen pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Europë.