“Si filloi shoqëria jonë t’i adhurojë të paditurit?”
A kemi arritur në një pikë ku shoqëria jonë i vlerëson më shumë njerëzit që bëjnë zhurmë sesa ata që kanë njohuri?
A jetojmë në një kohë kur një person mund të fitojë qindra, mijëra ndjekës pa pasur ndonjë kontribut të rëndësishëm intelektual, ndërsa një shkencëtar, mësimdhënës, hulumtues, i ditur duhet të luftojë për vëmendjen e publikut?
Pse një deklaratë sipërfaqësore mund të marrë mijëra pëlqime, ndërsa një mendim i argumentuar, një hulumtim shkencor apo një analizë serioze shpesh kalon pothuajse pa u vënë re?
Dikur dija, përvoja, urtësia dhe karakteri konsideroheshin ndër vlerat më të rëndësishme të njeriut.
Sot, gjithnjë e më shpesh, vëmendja, fama, pasuria, pamja e jashtme dhe numri i ndjekësve përdoren si tregues të suksesit dhe rëndësisë shoqërore.
Nuk është problem që njerëzit të bëhen të famshëm. Problemi fillon atëherë kur fama ngatërrohet me mençurinë, popullariteti me kompetencën dhe vetëbesimi me inteligjencën.
Shumë prej tyre që pretendojnë që janë të mençur kanë vetëbesim të madh për njohuritë që pretendojnë se i zotërojnë, por kur ju kërkohet t’i shpjegojnë bindjet e tyre, shpesh nuk arrinin t’i mbronin ato me argumente të qëndrueshme.
Këtu qëndron një mësim i madh, njeriu që nuk e kupton sa pak di, ose nuk e di që nuk di, mund të jetë shumë më i rrezikshëm sesa njeriu që e pranon se nuk di.
Vetëdija për kufijtë e dijes njerëzore është fundamenti i shoqërisë së civilizuar atje ku ne si shoqëri pretendojmë. Jeta pa reflektim dhe pa vetëdije kritike nuk është jetë e jetuar në mënyrë të plotë.
Mençuria fillon me vetëdijesimin për padijen tonë.
Një njeri i mençur nuk ka frikë të thotë: “nuk di”. Ai është i gatshëm të mësojë, të dëgjojë, të hulumtojë dhe ta ndryshojë mendimin kur përballet me argumente më të forta.
Ndërsa njeriu arrogant shpesh e sheh pyetjen si sulm, kritikën si fyerje dhe mospajtimin si kërcënim.
Sot, ky dallim është veçanërisht i rëndësishëm.
Në shoqërinë tonë, shpesh hasim individë që flasin me siguri absolute për politikën, ekonominë, shkencën, historinë, mjekësinë dhe pothuajse çdo fushë tjetër, edhe kur nuk kanë njohuritë e nevojshme.
Problemi nuk është se njerëzit kanë opinione. Të gjithë kemi të drejtë të kemi opinione.
Problemi është kur opinioni personal paraqitet si fakt, kur padija maskohet me vetëbesim dhe kur refuzimi për të mësuar konsiderohet shenjë force.
Nuk është qëllimi të dimë gjithçka, e kundërta duhet të kemi guximin të kuptojmë sa shumë kemi ende për të mësuar.
Le ta shikojmë realitetin e shoqërisë tonë.
Sot, fama është bërë një lloj monedhe shoqërore.
Një person mund të bëhet i famshëm për shkak të një videoje provokuese, një deklarate skandaloze, një sjelljeje të pazakontë apo një konflikti publik.
Nuk është e nevojshme të ketë krijuar diçka të rëndësishme, të ketë kontribuar në shkencë, kulturë, arsim apo zhvillim shoqëror.
Mjafton të tërheqë vëmendjen.
Kjo krijon një paradoks të shoqërisë moderne, njerëzit që kanë shumë për të thënë shpesh nuk dëgjohen, ndërsa ata që kanë pak për të ofruar dominojnë hapësirën publike.
Mendoni për një profesor universiteti që ka kaluar decenie duke studiuar, hulumtuar dhe publikuar.
Në anën tjetër, mendoni për një person që bëhet i famshëm brenda natës përmes një videoje disa sekondëshe.
Cili prej tyre merr më shumë vëmendje?
Në shumë raste, përgjigjja është e qartë.
Por a do të thotë kjo se personi më i famshëm është edhe më i vlefshëm për shoqërinë?
Natyrisht që jo.
Këtu duhet ta dallojmë një koncept shumë të rëndësishëm: dukshmëria nuk është e njëjtë me vlerën, ndërsa fama nuk është e njëjtë me meritën.
Një shoqëri që i mat njerëzit kryesisht me numrin e ndjekësve, pasurinë apo popullaritetin rrezikon t’i lërë në hije vlerat e vërteta njerëzore.
Dija kërkon vite pune. Mençuria kërkon përvojë dhe reflektim. Karakteri kërkon integritet dhe përgjegjësi.
Ndërsa fama mund të vijë brenda pak orësh.
Kjo nuk do të thotë se çdo person i famshëm është i paditur apo se çdo akademik është i mençur. As fama dhe as titujt akademikë nuk duhet të na pengojnë ta vlerësojmë një individ në bazë të argumenteve dhe veprave të tij.
Por, pyetja që duhet t’ia parashtrojmë vetes është:
Pse po e shpërblejmë kaq shumë vëmendjen dhe kaq pak kontributin?
Nëse shoqëria fillon t’i shpërblejë më shumë ata që argëtojnë sesa ata që edukojnë, atëherë edhe prioritetet tona kolektive fillojnë të ndryshojnë.
Rrjetet sociale e kanë përshpejtuar këtë fenomen në një mënyrë të jashtëzakonshme.
Platformat si Facebook, Instagram, TikTok dhe YouTube kanë krijuar një hapësirë ku çdokush mund të bëhet krijues i përmbajtjes dhe të fitojë audiencë të madhe. Kjo është një mundësi pozitive për demokratizimin e informacionit.
Megjithatë, ekziston edhe një anë tjetër.
Platformat digjitale shpesh e shpërblejnë përmbajtjen që gjeneron vëmendje të madhe. Kjo mund të favorizojë videot provokuese, konfliktet, skandalet dhe deklaratat emocionale.
Një përmbajtje e thellë, që kërkon dhjetë minuta për t’u kuptuar, mund të ketë më pak sukses sesa një video që ofron një përgjigje të thjeshtë për një problem kompleks.
Kështu krijohet një kulturë e konsumimit të shpejtë të informacionit.
Njerëzit mësohen të marrin përgjigje të menjëhershme, pa e bërë përpjekjen për të kuptuar shkaqet, kontekstin dhe pasojat e një problemi.
Në vend që të pyesim: “A është kjo e vërtetë?”, fillojmë të pyesim: “Sa pëlqime ka marrë?”
Në vend që të pyesim: “A ka ky person njohuri dhe përvojë?”, pyesim: “Sa ndjekës ka?”
Në vend që të vlerësojmë argumentin, vlerësojmë personin që e paraqet atë. Kjo është një zhvendosje shumë serioze në mënyrën se si formojmë gjykimet tona.
Janë hulumtuar lidhjet ndërmjet nivelit të aftësive dhe vlerësimit që individët i bëjnë aftësive të tyre.
Rezultati është se ekziston prirje ku individët me njohuri ose aftësi të kufizuara në një fushë mund t’i mbivlerësojnë aftësitë e tyre, ndërsa individët më kompetentë mund të jenë më të vetëdijshëm për kompleksitetin dhe kufijtë e njohurive të veta.
Me fjalë tjera hulumtimi flet për njerëz, “që nuk e dinë që nuk dinë”, dhe për ata që “nuk dinë që dinë”.
Duhet të jemi të kujdesshëm, ky efekt nuk do të thotë se çdo person i paditur është arrogant apo se çdo ekspert dyshon në veten e tij.
Por ai na ndihmon të kuptojmë pse vetëbesimi i tepruar ndonjëherë mund të duket më bindës sesa kompetenca e vërtetë.
Në mediat sociale, ky fenomen mund të bëhet veçanërisht i dukshëm.
Një individ mund të japë këshilla për shëndetin pa arsimim mjekësor, të komentojë ekonominë pa njohuri ekonomike apo të japë verdikte historike pa studiuar histori.
Dhe, nëse komunikon me siguri dhe përdor gjuhë bindëse, mund të krijojë përshtypjen e një eksperti.
Rreziku nuk është vetëm përhapja e padijes. Rreziku është kur padija fiton autoritet publik dhe fillon të perceptohet si dije.
Pse shoqëria fillon t’i adhurojë njerëzit e gabuar?
Ekzistojnë disa arsye pse shoqëria mund t’i japë vëmendje të tepruar individëve që nuk kanë domosdoshmërisht vlera të mëdha intelektuale.
Së pari: Njerëzit tërhiqen nga ajo që është e lehtë dhe argëtuese.
Të lexosh një studim shkencor kërkon përqendrim dhe përpjekje. Të shikosh një video zbavitëse kërkon shumë më pak energji mendore.
Nuk ka asgjë të gabuar me argëtimin. Problemi lind kur argëtimi bëhet burimi ynë kryesor i informacionit dhe formimit të bindjeve.
Së dyti: Ne kemi prirje t’i admirojmë njerëzit që duken të suksesshëm.
Pasuria, veshja luksoze, makinat e shtrenjta dhe një stil jetese i ekspozuar publikisht mund të krijojnë përshtypjen e superioritetit.
Por suksesi material nuk është dëshmi e inteligjencës, e moralit apo e mençurisë.
Një person mund të jetë shumë i pasur dhe njëkohësisht të ketë mungesë të theksuar të përgjegjësisë shoqërore. Në mendësinë kolektive, suksesi material ka filluar të barazohet me vlerën intelektuale dhe morale. Njerëzit mendojnë: “Nëse ky person ka arritur të bëhet kaq i pasur dhe i famshëm, ai patjetër duhet të dijë diçka që unë nuk e di.” Kjo është një pikënisje e gabuar. Pasuria mund të jetë rezultat i fatit, i manipulimit të algoritmeve apo i shfrytëzimit të banalitetit, por asnjëherë nuk është garanci e mençurisë apo e integritetit.
Së treti: Thjeshtëzimi i tepërt i realitetit. Njerëzit shpesh preferojnë përgjigje të thjeshta për probleme komplekse.
Politika, ekonomia, arsimi dhe marrëdhëniet shoqërore janë çështje të ndërlikuara.
Njeriu i paditur ofron përgjigje bardh e zi, zgjidhje magjike dhe fajtorë të menjëhershëm. Megjithatë, njerëzit që ofrojnë përgjigje të shpejta, premtime të mëdha dhe zgjidhje të lehta mund të fitojnë më shumë mbështetje sesa ata që shpjegojnë realitetin me nuanca dhe argumente. Eksperti i vërtetë shpesh flet me dyshime, përdor terma si “varet” ose “mundësisht”, sepse e njeh kompleksitetin.
Për fat të keq, masa shpesh preferon një gënjeshtër të thjeshtë dhe të sigurt, sesa një të vërtetë komplekse dhe të pasigurt.
Së katërti: Shoqëria ndonjëherë e ngatërron guximin me arrogancën.
Një person që flet me zë të lartë, ndërpret të tjerët dhe nuk pranon asnjë kritikë, shpesh perceptohet gabimisht si i fortë.
Ndërsa një person që dëgjon, analizon dhe i shqyrton me kujdes fjalët e veta mund të perceptohet si i pasigurt dhe i dobët.
Por mençuria nuk ka nevojë të bërtasë.
Shpesh, njeriu më i mençur në një dhomë është ai që dëgjon më shumë, pyet më mirë dhe flet vetëm kur ka diçka me vlerë për të thënë.
Cilat janë pasojat për demokracinë, arsimin dhe të ardhmen e shoqërisë tonë?
Kjo çështje nuk është thjesht problem kulturologjik. Kur një shoqëri fillon të udhëhiqet nga opinionet e të paditurve me vetëbesim të lartë, pasojat nuk janë thjesht kulturore, por ekzistenciale
Ajo ka pasoja të drejtpërdrejta për funksionimin e shoqërisë.
Vendimet e rëndësishme publike fillojnë të merren mbi bazën e popullaritetit të ideve, jo mbi bazën e fakteve të provuara dhe kjo shpie në erozionin e sistemit shoqëror dhe politik. Një demokraci e shëndoshë kërkon qytetarë të informuar, të aftë të analizojnë argumente, të dallojnë faktet nga propaganda dhe të marrin vendime të përgjegjshme.
Nëse qytetarët e vlerësojnë një politikan vetëm për shkak të popullaritetit, retorikës apo spektaklit publik, ekziston rreziku që kompetenca dhe integriteti të humbin rëndësinë.
Një shoqëri që nuk e vlerëson dijen bëhet më e cenueshme ndaj manipulimit.
Në arsim, rreziku është po ashtu i madh.
Nëse nxënësit dhe studentët mësohen vetëm të përsërisin informacione, por jo t’i analizojnë ato, atëherë arsimi rrezikon të prodhojë njerëz që dinë të japin përgjigje, por nuk dinë të parashtrojnë pyetje.
Universiteti nuk duhet të jetë thjesht vendi ku merren diploma. Ai duhet të jetë vendi ku sfidohen idetë, ku zhvillohet mendimi kritik dhe ku kërkimi i së vërtetës vendoset mbi interesat personale. Brezi i ri fillon të shohë shkollimin dhe punën kërkimore si një humbje kohe, duke qenë se “suksesi” arrihet më shpejt përmes skandaleve digjitale.
Padija ushqehet nga emocionet primitive si frika dhe urrejtja, duke e bërë dialogun racional pothuajse të pamundur duke krijuar kushte për polarizim ekstrem.
Këtu duhet të kujtojmë edhe një mësim tjetër.
Sot dënohen, anatemohen, baltosen njerëzit jo pse nuk janë pa ndikim intelektual. Përkundrazi, se ata bëhen të papërshtatshëm për një pjesë të vogël shoqërisë, sepse vazhdimisht i ballafaqojnë dhe cenojnë grupe të veçanta të interest.
E kaluara na kujton, se shoqëria jonë jo gjithmonë i shpërblenë njerëzit që kërkojnë të vërtetën.
Dhe jo rallë, e tilla shoqëri i kundërshtonë pikërisht ata që kanë më shumë nevojë t’i dëgjonë.
Si mund ta rikthejmë respektin për dijen dhe mençurinë?
Nëse kemi arritur në një pikë ku fama vlerësohet më shumë se dija, atëherë duhet të pyesim veten: si mund ta ndryshojmë këtë realitet?
Janë disa hapa, praktikisht jo të lehte por të mundëshëm
– Të rikthejmë respektin për dijen. të promovohet shpërblimi i meritës.
Duhet të vlerësojmë mësimdhënësit, studiuesit, shkencëtarët, profesionistët dhe të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë. Si konsumatorë të përmbajtjes, ne kemi në dorë “monedhën” më të shtrenjtë sot; vëmendjen tonë. Duhet t’ua heqim vëmendjen të paditurve dhe t’ua falim krijuesve të vlerave të vërteta.
– Të mësojmë të dallojmë famën nga kompetenca.
Numri i ndjekësve nuk është diplomë. Popullariteti nuk është ekspertizë. Vetëbesimi nuk është dëshmi e inteligjencës.
– Të zhvillojmë kulturën e pyetjeve dhe të kultivohet dyshimi.
Të mos kemi frikë të pyesim: Kush e thotë këtë? Në çfarë dëshmish mbështetet? A ka argumente alternative?
– Të kultivojmë përulësinë intelektuale.
Të pranojmë se mund të gabojmë. Të kuptojmë se askush nuk i di të gjitha dhe se të mësuarit nuk përfundon kurrë. Duhet të rikthejmë guximin për të thënë “nuk di” dhe të vlerësojmë ata që hulumtojnë përpara se të flasin.
– Të bëhemi më të përgjegjshëm në përdorimin e mediave sociale, të sforcojmë edukimin mediatik.
Duhet të mësojmë dhe të mësojmë fëmijët tanë se si të filtrojnë informacionin, si të njohin lajmet e rreme dhe si të mos e ngatërrojnë algoritmin me të vërtetën.
Të mos shpërblejmë çdo përmbajtje vetëm sepse është provokuese apo argëtuese. Të mbështesim përmbajtjen që edukon, informon dhe nxit reflektimin.
Një shoqëri e mençur nuk është ajo ku të gjithë pretendojnë se dinë gjithçka. Është ajo ku njerëzit e vlerësojnë dijen dhe nuk turpërohen të pranojnë atë që nuk dinë.
Një shoqëri që admiron zhurmën rrezikon ta humbasë mençurinë
Duhet të pyesim, të dyshojmë, të analizojmë dhe të mos pranojmë asgjë vetëm sepse është e popullarizuar apo sepse e thotë dikush me autoritet.
Shoqëria moderne ka arritur përparim të jashtëzakonshëm teknologjik, por përparimi teknologjik nuk garanton automatikisht përparim intelektual dhe moral.
Mund të kemi telefona inteligjentë, por kjo nuk do të thotë se kemi mendime të mençura.
Mund të kemi miliona informacione, por kjo nuk do të thotë se kemi dije.
Mund të kemi miliona ndjekës, por kjo nuk do të thotë se kemi vlera.
Mund të jemi shumë të famshëm, por kjo nuk do të thotë se kemi kontribuar diçka të rëndësishme për shoqërinë
Një shoqëri fillon ta humbasë mençurinë atëherë kur pushon së admiruari dijen dhe fillon të adhurojë padijen e veshur me vetëbesim.
Nuk duhet të admirojmë njerëzit vetëm pse janë të famshëm, të pasur apo të zhurmshëm.
Duhet t’i admirojmë ata që mendojnë, hulumtojnë, krijojnë, mësojnë, kontribuojnë dhe kanë guximin ta mbrojnë të vërtetën.
Një shoqëri nuk ka nevojë për më shumë njerëz që pretendojnë se dinë gjithçka.
Ajo ka nevojë për më shumë njerëz që kanë dëshirë të mësojnë dhe kanë guximin të mendojnë.
Në fund të fundit, problemi më i madh nuk është se në shoqëri ekzistojnë njerëz të paditur. Problemi fillon atëherë kur padija bëhet model suksesi, arroganca bëhet model lidershipi dhe fama bëhet zëvendësim për mençurinë.
Padija ka qenë gjithmonë e pranishme në historinë njerëzore, por sot ajo ka gjetur një autoparlant të fuqishëm, teknologjinë dhe kulturën e famës së shpejtë. Megjithatë, një shoqëri nuk mund të mbijetojë gjatë mbi themelet e zhurmës dhe sipërfaqësores.
Le të mos bëhemi bashkëfajtorë në adhurimin e të paditurve. Le të jemi ne ata që rikthejmë në piedestal urtësinë, mendimin e argumentuar dhe etjen për dije. Sepse, në fund të fundit, civilizimi nuk ndërtohet me numër ndjekësish, por me thellësinë e mendimit dhe forcën e karakterit.
Prof. Dr. Afrim Blyta, neuropsikiatër
Nga fjala me rastin e 24 vjetorit të shoqatës së intelektualëve “Jakova”,
Gjakovë, nëntor 2026.














