Në fjalimin e tij në Kuvend, Lushtaku tha se qytetarët vazhdojnë të përballen me paga të ulëta, shtrenjtim të produkteve ushqimore dhe kosto të larta të energjisë elektrike, ndërsa kërkoi nga Qeveria të japë llogari për premtimet e parealizuara.

Ai përmendi zotimet për ndërtimin e 160 çerdheve, 4 mijë banesave për familjet e reja, modernizimin e hekurudhave dhe përfundimin e projekteve infrastrukturore.

“Duke iu referuar të dhënave të Institutit GAP, Lushtaku tha se në periudhën 2021-2024 Qeveria kishte realizuar rreth një miliard euro më pak investime kapitale sesa kishte planifikuar.

Si dëshmi të planifikimit të pamjaftueshëm, ai përmendi Unazën e Prishtinës dhe Rrugën e Dukagjinit. Për projektin e parë, me vlerë 61 milionë euro, në buxhetin e vitit 2027 janë ndarë vetëm një milion euro, ndërsa e njëjta shumë është paraparë edhe për rrugën me vlerë 31 milionë euro.

Sipas Lushtakut, investimet në infrastrukturë kanë rëndësi përtej ndërtimit të rrugëve, pasi mundësojnë tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik.

Ai theksoi se nuk kundërshton mbështetjen financiare për familjet në nevojë, fëmijët dhe pensionistët, por vlerësoi se kjo nuk duhet të jetë zëvendësim për politikat që krijojnë zhvillim dhe pavarësi ekonomike.

“Një politikë e mirë sociale ndihmon qytetarin në vështirësi, një politikë e mirë ekonomike ndihmon që të mos mbetet vazhdimisht i varur nga ndihma dhe pikërisht këtu qëndron problemi jonë me këtë projektbuxhet”, u shpreh Lushtaku.