Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka bërë publik një denoncim lidhur me skandalin e vjedhjes së 700 mijë eurove në postën e Durrësit, ku dyshohet se është e përfshirë edhe deputetja e PS, Etleva Budini, e cila ka mbajtur postin e drejtoreshës së Postës deri në vitin 2025.
I ftuar në News24, Këlliçi lexoi live një mesazh që ka marrë nga një qytetar, në të cilin ngrihen pretendime se Etleva Budini, paratë e vjedhura nga posta i ka përdorur për të blerë vota në Durrës.
Po ashtu, sipas mesazhit të qytetarit, edhe bashkëshorti i deputetes po bën namin me “lejet e qëndrimit të indianëve dhe egjiptianëve”.
“Më thotë një person për ish drejtoreshën e Postës në Durrës. Çdo gjë që ka vjedhur e ka shpërdoruar për zgjedhje dhe paratë e vjedhura janë përdorur për blerje votash në Durrës.
Nën orientimin e bashkëshortit të zonjës, Boge, ish-drejtor kufiri në Durrës, me katër raste të trafikut të drogës gjatë kohës që drejtonte portin në Durrës.
Aktualisht ky individ, bashkëshorti i deputetes, është bërë drejtor kufiri dhe migracioni i Tiranës dhe është duke bërë namin me lejet e qëndrimit të indianëve dhe egjiptianëve. Nuk e di se sa i vërtetë është informacioni, por jam i detyruar ta bëj transparent këtë mesazh”, deklaroi Këlliçi.













