IEA: Bota mund të shmangë varësinë ndaj Hormuzit, qendrat e të dhënave rëndojnë sistemin energjetik

Bota mund t’i japë fund varësisë energjetike nga Ngushtica e Hormuzit përmes investimeve prej rreth 240 miliardë dollarësh në tubacione alternative dhe burime të reja furnizimi. Ndërkohë, një tjetër sfidë po shfaqet për sistemet energjetike: konsumi i energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave mund të dyfishohet deri në vitin 2030, duke shtuar presionin mbi rrjetet dhe duke rritur emetimet e karbonit.
Këto janë dy nga paralajmërimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), të publikuara në raportin World Energy Outlook 2026.
240 miliardë dollarë për të shmangur Ngushticën e Hormuzit
Përpara luftës me Iranin, rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit. Ndërprerja e furnizimeve gjatë këtij viti shkaktoi një nga goditjet më të mëdha energjetike në histori.
“Bota mund të funksionojë edhe pa këtë ngushticë. Është e vështirë, por e mundur”, deklaroi Fatih Birol, kreu i IEA.
Sipas agjencisë, nevojiten rreth 40 miliardë dollarë për tubacione të reja dhe 200 miliardë dollarë investime në vendburime nafte në pjesë të tjera të botës.
Tubacionet e reja në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irak mund të mundësojnë transportimin e rreth 15 milionë fuçive naftë në ditë, duke shmangur Hormuzin.
Së bashku me uljen e kërkesës dhe rritjen e prodhimit në vende të tjera, sasia e naftës që kalon përmes ngushticës mund të bjerë nga 20 milionë fuçi në ditë përpara luftës, në vetëm 2 milionë fuçi deri në vitin 2035.
Megjithatë, për gazin natyror të lëngshëm të Katarit nuk ekzistojnë rrugë alternative eksporti.
IEA paralajmëron se kriza mund t’i shtyjë vendet importuese drejt burimeve vendase, energjisë bërthamore dhe burimeve të rinovueshme, si dhe përshpejtimit të elektrifikimit të transportit dhe ngrohjes.
Sipas skenarit të politikave aktuale, kërkesa globale për naftë mund të rritet nga 102 milionë fuçi në ditë këtë vit, në 114 milionë deri në vitin 2050. Por, në rast të një reagimi të fortë ndaj krizës, ajo mund të bjerë në 85 milionë fuçi.
Edhe tregu i LNG-së përballet me pasiguri. Nëse vendet aziatike ulin varësinë nga importet, deri në vitin 2035 mund të mbeten të pashfrytëzuara kapacitete prej 260 miliardë metrash kub LNG në vit.
Qendrat e të dhënave mund të dyfishojnë konsumin e energjisë deri në vitin 2030
Ndërsa bota kërkon të reduktojë varësinë nga nafta dhe gazi, zhvillimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale po krijon një burim të ri të fuqishëm kërkese për energji elektrike.
Sipas IEA, konsumi vjetor i qendrave të të dhënave mund të arrijë në rreth 1,000 teravat-orë deri në vitin 2030, afërsisht dyfishi i nivelit aktual.
Kjo rritje mund të mbingarkojë rrjetet elektrike, të vonojë projekte të reja dhe të rrisë emetimet e karbonit me 70%. Raporti përmend projekte të qendrave të të dhënave në Finlandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, veçanërisht në Teksas dhe Virxhinia, ku kërkesa për energji po shton presionin mbi infrastrukturën.
Sipas analizës, pesha e energjisë elektrike në konsumin përfundimtar global të energjisë mund të arrijë afërsisht 30% deri në vitin 2035, nga 23% në skenarët kryesorë të IEA.
Kërkesa maksimale për energji elektrike parashikohet të rritet me 40-50% deri në vitin 2035. Për të përballuar këtë zgjerim, nevojitet ndërtimi i 26 milionë kilometrave linja të reja elektrike dhe zëvendësimi ose modernizimi i rreth 16 milionë kilometrave linja ekzistuese.
IEA paralajmëron gjithashtu mungesa në furnizimin me bakër, transformatorë dhe kabllo, ndërsa shpenzimet për rrjetet elektrike pritet të rriten me 75% gjatë dekadës së ardhshme.
Zgjerimi i qendrave të të dhënave ka nxitur kundërshtime në SHBA dhe Europë, për shkak të ndikimit në infrastrukturën lokale, përdorimin e tokës, ujit dhe energjisë. Në këtë mënyrë, sektori energjetik përballet me dy sfida njëkohësisht: sigurimin e furnizimeve në një botë me rreziqe të larta gjeopolitike dhe përballimin e kërkesës në rritje për energji elektrike nga ekonomia dixhitale. / Euronews, FT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









