Pamjet e atentatit ndaj shqiptarit Luka Beqiraj në Spanjë janë bërë publike, duke dokumentuar momentin kur autori i afrohet tavolinës ku 39-vjeçari nga Vlora po qëndronte me disa persona të tjerë dhe hap zjarr në drejtim të tij.
Vrasja ndodhi më 10 nëntor, pak para orës 13:00, në tarracën e një lokali brenda kompleksit sportiv Playa Flamenca Sport Club, në Orihuela Costa, në provincën e Alicantes. Në video shihet autori që qëllon tri herë ndaj Beqirajt, ndërsa personat e tjerë të ulur në tavolinë largohen me vrap sapo dëgjohen të shtënat.
Pas sulmit, autori u largua nga vendngjarja me një monopatinë elektrike. Beqiraj ndërroi jetë nga plagët e marra, ndërsa personi që kreu atentatin vijon të jetë në kërkim nga autoritetet spanjolle.
Mënyra e organizimit të vrasjes ka ngritur dyshime se mund të bëhet fjalë për një atentat me pagesë dhe larje hesapesh. Sipas mediave spanjolle, hetuesit po verifikojnë edhe lidhjet e mundshme të ngjarjes me rrjetet e krimit të organizuar që veprojnë në zonat bregdetare të Alicantes dhe Mursias. Deri më tani, motivi i vrasjes nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Luka Beqiraj ishte i njohur edhe për autoritetet shqiptare. Në vitin 2016 ai u arrestua në Vlorë për plagosje të rëndë me dashje. Tre vite më vonë, u arrestua në kuadër të një operacioni të përbashkët shqiptaro-italian kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Në vitin 2020, drejtësia italiane e dënoi me 4 vite e 6 muaj burgim për përfshirje në veprimtari të lidhura me trafikun e narkotikëve.
E kaluara e tij është një nga pistat që po rikthehen në vëmendje pas atentatit, ndërsa hetuesit spanjollë vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e motiveve të vrasjes.

