Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur sot kritika të forta ndaj projektbuxhetit për vitin 2027, duke vënë në dukje se qasja e Qeverisë mbetet e fokusuar te ndihmat sociale, ndërsa ekonomisë së vendit i duhen investime që do të gjeneronin rritje dhe do të përmirësonin cilësinë e jetesës së qytetarëve.
Në seancën plenare të Kuvendit, ku po diskutohet projektbuxheti i vitit të ardhshëm, Abdixhiku pranoi se përkrahja financiare është e domosdoshme për qytetarët, megjithatë theksoi se ajo nuk përbën zgjidhje të qëndrueshme për sfidat strukturore ekonomike me të cilat përballet Kosova.
Të lidhura
None found
Ai vuri në dukje se rritja e çmimeve dhe presionet inflacioniste po e bëjnë më të vështirë jetesën e familjeve kosovare, ndërsa mungesa e investimeve po bllokon përmirësimin e mirëqenies së tyre afatgjatë.
Abdixhiku: Inflacioni dhe shtrenjtimi po vështirësojnë jetesën e qytetarëve
“Një buxhet që premton paga më të larta, shtesa për fëmijë, nevoja e njerëzve është e madhe, çdo ndihmë pritet me shpresë dhe rrethanat e tanishme kjo ndihmë është e vetmja. Shihni inflacionin e këtij viti, pastaj tregoni një familjes kosovare që pret ndihmat e shtetit, sesi mjet vetëm ndihmese i këtyre ndihmave është edhe burimi i problemeve tyre. Prandaj, e kuptoj vështirësinë e një teme si kjo në sy të publikut. Kjo e vërtetë na thotë qartë se me shtet social, me ndihma, pa investime nuk kemi për të pasur asnjëherë jetë të mirë në Kosovë, do vazhdojmë të mbesin të fundit në Evropë kështu”, deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së paralajmëroi se varësia e vazhdueshme nga ndihmat monetare, në mungesë të investimeve të duhura, mund të krijojë një rreth vicioz ku çmimet rriten dhe nevojitet gjithnjë e më shumë mbështetje shtetërore.
Ai i bëri thirrje Qeverisë që t’i japë prioritet investimeve në sektorë me rëndësi strategjike, veçanërisht në fushën e energjisë dhe infrastrukturës, duke nënvizuar se vendi ka nevojë urgjente për projekte madhore zhvillimi.
Abdixhiku: Investimet në sektorët strategjikë duhet të jenë prioritet i Qeverisë
“Do na rriten më shumë çmimet, do kemi nevojë për më shumë ndihma për këto çmime, e këto ndihma do të rrisin përsëri çmimet. Dhe në gjithë këtë spirale ekonomike do të mbesim pa gjënë e vetme, pa investime.. Mund të bëhen dyja edhe ndihmat edhe investimet, por më shumë investime sesa ndihma. Kjo duhet të jetë politika e vendit më të varfër në Evropë. Nuk ka sektorë që nuk ka nevojë për investime drastike. Duhet të kemi investime në energji, po blejmë rrymë. Mundemi të ndërtojmë centrale të reja. Duhet të ketë investime në infrastrukturë, në rrugë. Marre e madhe për besë që ende flasim për asfalt, vetëm rrugë duhet me shtrua”, u shpreh Abdixhiku.
Projektbuxheti për vitin 2027, i cili u prezantua nga kryeministri Albin Kurti, parashikon një vlerë prej 4,27 miliardë eurosh.






