Shefi i NATO-s minimizon frikën për një "Jaltë 2.0" pas samitit Trump-Putin-Xi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i minimizoi të enjten shqetësimet se një samit në Kinë – në mes të presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping – mund të çonte në një ndarje të re të sferave të ndikimit, të ngjashme me atë të Jaltës.
“Mendoj se është e rëndësishme që liderët të takohen, siç është ky takim në Kinë”, u tha Rutte gazetarëve në Berlin, kur u pyet nëse ishte i shqetësuar për këtë samit. “E konsideroj këtë gjë normale, ndaj nuk jam aspak i shqetësuar”.
Rutte i bëri këto komente ndërsa u përgjigjej pyetjeve në Berlin, në prag të takimit të “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën, të organizuar nga kancelari Friedrich Merz, përcjell Telegrafi.
Kur u pyet lidhur me faktin se Trump e quajti Putinin “mik” gjatë takimit në Kinë, kreu i NATO-s theksoi se takimet mes liderëve të fuqive të mëdha janë diçka normale.
“Është e rëndësishme që liderët të takohen, përfshirë këtu edhe ata të fuqive bërthamore”, tha më tej ai. “Pra, është krejtësisht normale që këta njerëz të takohen, që të ketë takime dhe që ata të përpiqen të bien dakord për rrugën më të mirë përpara”.
Rutte shtoi se Trump “ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur paqen në Ukrainë, dhe për këtë mund vetëm ta përgëzoj”.
Disa politikanë evropianë shprehën shqetësimin, para samitit në Kinë, se ai mund të shndërrohej në një “Jaltë 2.0” – një aludim për Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku fuqitë e mëdha e ndanë Evropën e pasluftës në sfera ndikimi.
Ata kishin frikë se Trump mund t’i bënte lëshime Rusisë lidhur me Ukrainën, dhe se mund të krijohej një ndarje e re globale e zonave të ndikimit mes fuqive të mëdha, e vendosur pa praninë e Evropës në tryezë.
Sidoqoftë, presidenti lituanez Gitanas Nauseda u tha gazetarëve se nuk pret që samiti të shndërrohet në një “Jaltë” të re.
“Besoj se tema e diskutimeve nuk ishte ndarja apo sferat e ndikimit. Kishte tema të tjera diskutimi”, tha ai.
“Sigurisht, për mua është interesante të kuptoj se si dy vende, Kina dhe Rusia, do të jenë nismëtare të reformës në Kombet e Bashkuara, duke qenë se ato vazhdimisht i kundërshtojnë reformat, për shkak të së drejtës së vetos”, shtoi ai.
Nauseda përsëriti qëndrimin e Evropës se çdo diskutim mbi të ardhmen e Ukrainës duhet të përfshijë ukrainasit dhe evropianët.
“Parimi duhet të jetë i qartë: asnjë diskutim për të ardhmen e Ukrainës pa Ukrainën, asnjë diskutim për të ardhmen e Evropës pa Evropën”, theksoi ai. /Telegrafi/


































