Një nga veprat më të rralla të Van Gogh arrin çmim rekord në ankand
Një pikturë e rrallë e artistit të famshëm holandez Vincent van Gogh është shitur për më shumë se 190 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga Sotheby’s në Nju Jork, duke vendosur një rekord të ri për veprat e tij të shitura në ankande publike.
Vepra me titull “Châtaigniers en fleurs”, që paraqet një grup pemësh gështenjash në fshatin Auvers-sur-Oise, ku Van Gogh kaloi muajt e fundit të jetës, nuk ishte ekspozuar publikisht prej rreth 50 vitesh.
Shitja u parapri nga polemika mbi historinë e pronësisë së pikturës. Trashëgimtarët e Samuel Fischer, një botues hebre që jetonte në Berlin gjatë viteve 1930, pretenduan se vepra ishte shitur nën presion për shkak të persekutimit nazist dhe vështirësive financiare të familjes. Pas disa ditësh negociatash, Sotheby’s njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me trashëgimtarët, pa bërë publike detajet e saj.
Piktura ishte pjesë e koleksionit privat të familjes së biznesmenit argjentinas Carlos Pedro Blaquier dhe bashkëshortes së tij, Nelly Arrieta de Blaquier. Koleksioni, që përfshinte 12 vepra të nxjerra në shitje, konsiderohej me vlerë të veçantë për shkak se shumë prej punimeve nuk ishin parë publikisht prej dekadash.
Në të njëjtin ankand u shitën edhe vepra të artistëve të tjerë të njohur. Piktura “En Canot (Jeune fille à la barque)” e Pierre-Auguste Renoir arriti vlerën e 27.5 milionë dollarëve, ndërsa “Le Jardin des Tuileries” e Claude Monet u shit për 20.23 milionë dollarë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




