Gara kundër kohës për kujtesën analoge, ja si arkivistët francezë po shpëtojnë filmat e vjetër shtëpiakë në epokën e trilionë imazheve digjitale
Në ekranin e vogël të një makine shikimi, imazhe me tone sepia të viteve 1970 rikthejnë në jetë njerëz dhe vende të një kohe të shkuar. Për Romain Gimenes, një mësues 30-vjeçar nga Riviera Franceze, kjo është hera e parë që sheh fytyrën e gjyshit të tij, Gabriel, nga i cili trashëgoi emrin e mesëm, por të cilin nuk e takoi kurrë.
Duke rrotulluar me dorë bobinat e vjetra të filmit Super 8, të gjetura e të shpëtuara nga aktivistët e arkivimit, ai zbulon jo vetëm portretet e nënës, gjyshes 94-vjeçare dhe stërgjyshes, por edhe pamjet e një stacioni karburanti që familja zotëronte dikur në qytetin e Antibes, përpara se ai të shembej dhe të zëvendësohej nga një furrë buke.
Përballë këtij fragmenti historie familjare, Gimenes bën gjestin refleks të brezit të tij: nxjerr telefonin dhe fotografon ekranin.
“Sot, ne filmojmë dhe fotografojmë gjithçka. Por kush gjen kohë për t’i parë të gjitha? Kush gjen kohë vërtet për të parë gjërat, vërtet për të shikuar?”, reflekton ai mbi kontrastin mes regjistrimit të ngadaltë analog dhe fluksit të menjëhershëm dixhital.
Kjo skenë e regjistruar gjatë një rezidence arkivimi në Antibes pasqyron një paradoks të epokës moderne. Dy shekuj më parë, në vitin 1824, shpikësi francez Nicéphore Niépce e përshkruante pamjen e parë fotografike të kapur prej tij si “me të vërtetë diçka magjike”.
Sot, kamerat më të avancuara kapin triliona kuadro në sekondë dhe njerëzimi gjeneron sasi marramendëse të dhënash vizuale. Sipas kompanisë së kërkimit të të dhënave IDC, fotot dhe videot në mbarë botën pritet të gjenerojnë rreth 144 zetabajtë të dhëna gjatë vitit 2026 — një shifër që parashikohet të arrijë në 234 zetabajtë deri në vitin 2030, e nxitur nga kamerat me rezolucion të lartë dhe përmbajtjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Vetëm në platformën Google Photos ruhen mbi 9 trilionë foto dhe video.
Megjithatë, jashtë këtij oqeani digjital ekziston një trashëgimi e brishtë analoge që rrezikon të zhduket. Për arkivistët Stephanie Ange, Pierre Bouchut dhe Margot Lestien, themelues të grupit francez “Ofnibus” (një lojë fjalësh me termin francez për UFO-t), ruajtja e filmave shtëpiakë është një mision i vazhdueshëm nëpër qytetet e Francës. Gjatë pesë viteve dhe 23 rezidencave, ata kanë mbledhur nga garazhet, papafingot dhe sirtarët e qytetarëve materiale të painventarizuara, të xhiruara shpesh nga njerëz që nuk jetojnë më.
Duke kaluar bobinat dhe kasetat VHS në skanerë, Pierre Bouchut ka dokumentuar një spektër të gjerë të jetës njerëzore: nga dasmat, ditëlindjet, piknikët dhe xhirimet amatore të Turit të Francës, e deri te dëshmi të rralla historike, si ndëshkimi publik i grave gjatë Luftës së Dytë Botërore për marrëdhënie të dyshuara me ushtarët gjermanë. Përtej ndryshimeve të epokave, ai vëren një vazhdimësi njerëzore në këto regjistrime: “Me sa duket, fëmijët nuk silleshin më mirë në të kaluarën. Njerëzit kënaqeshin po aq sa kënaqen edhe sot. Ekziston një universalitet që shfaqet, diçka që të jep pak besim te njerëzimi”.
Sfida kryesore e kësaj nisme nuk është vetëm teknike, por lidhet drejtpërdrejt me kalimin e kohës. Me zhdukjen graduale të projektorëve funksionalë Super 8 — format i prezantuar nga Kodak në vitin 1965 që demokratizoi kinemanë amatore — dhe videoregjistruesve, trashëgimtarët shpesh nuk kanë mjete për t’i parë këto materiale, duke përfunduar në hedhjen e tyre.
“Të gjesh materialin, të jesh në gjendje ta shikosh përsëri dhe ta dixhitalizosh është një gjë, por prapëseprapë duhet të jesh në gjendje ta interpretosh dhe ta kuptosh atë”, shpjegon arkivistja Margot Lestien. “Këtu qëndron urgjenca: njerëzit që ende i kujtojnë ngjarjet dhe atë që është në filma po vdesin”.
Gjatë qëndrimit në Antibes, ekipi i “Ofnibus” dixhitalizoi 22 orë materiale arkivore dhe realizoi një përmbledhje 30-minutëshe që u shfaq para 50 banorëve të qytetit, ku përfshiheshin edhe pamje të rizbuluara të ikonës së kinemasë franceze, Brigitte Bardot, e filmuar dikur me një shportë me trëndafila. Për banorë si 65-vjeçarja Sophie Roux-Nantas, e cila dorëzoi 16 bobina të viteve 1930–1960 dhe pa veten në moshën trevjeçare duke ndërtuar kështjella rëre, apo fizioterapistin 41-vjeçar Yohan Chabert, i cili u rikthye në vitet 1990 përmes 28 videokasetave familjare, ky proces i rikthen vlerën kujtimeve të mbyllura në dollapë.
“Është prekëse”, u shpreh Chabert pas shfaqjes, “dhe mendoj se është diçka për të ndarë, sepse të kesh bobina në shtëpi dhe t’i lësh në dollap është paksa për të ardhur keq”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








