Nga: Genc Burimi
Takimi i tre superfuqive në Shenzhen të Kinës u shoqërua me një zhurmë të madhe mediatike për shkak të krahasimit, veçanërisht nga propaganda e Kremlinit, si një “Jaltë e re” ku do të rishkruhej rendi botëror. Megjithatë, prapa skenografisë madhështore, ky takim tregoi se nuk pati asnjë ngjashmëri me Konferencën historike të Jaltës të vitit 1945. Ai rezultoi në thelb, një samit marketingu politik, ku secili lider kërkoi të shiste një imazh force për konsum të brendshëm politik dhe atë në skenën ndërkombëtare.

Pse Shenzheni nuk ishte Jalta e vitit 1945?

Krahasimi me Jaltën bie poshtë që në themelet e tij historike. Në shkurt të vitit 1945, mblidheshin në Jaltë tre fuqi ngadhnjimtare: SHBA-të, Bashkimi Sovjetik dhe Britania e Madhe. Ushtritë e tyre kontrollonin Evropën dhe lufta kundra Japonisë do të përfundonte së shpejti. I hapej kështu sipari ndarjes së zonave të influencës që do të hynte në zbatim sapo Gjermania dhe Japonia të kapitullonin pak muaj më vonë.
Në Shenzhen, tabloja ishte krejtësisht e kundërt. Në tryezë nuk u ulën “fitimtarë” luftërash, por dështues për momentin, si Putini përballë Ukrainës, Trumpi para Iranit dhe Xi Jinpingu që nuk po arrin të pushtojë Tajvanin.

Si për ironi të fatit, gjatë samitit të pseudo-Jaltës në Shenzhen, Ukraina pati sërish luksin të vazhdonte sulmin e nisur pak ditë më parë për shkatërrimin e dy korsive të urës së Krimes. Nëse ky kërkonte një ngjashmëri me Jaltën, kjo nuk ishte aspak te përmbajtja e negociatave që nuk ndodhën në Shenzhen, por te krahasimi i imazhit të tij me Stalinin. Si për të imituar Stalinin në Jaltë, edhe për Putinin në Shenzhen, suksesi qe ulja te tryeza e «më të fortëve» të botës.
Donald Trump po ashtu nuk mund të shpresonte për asnjë formë Jalte. Ai u ul në tryezë i dobësuar shumë politikisht pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e fundit amerikane. I vetmi xhoker i Trumpit ishte se mund të premtonte gjëra që mund t’i realizonte edhe për dy muajt kohë që i kanë mbetur para se të vihet nën kontrollin demokrat. Por Shenzheni pikërisht nuk qe Jalta ku ai mund të premtonte ndonjë gjë me vlerë strategjike për dy liderët e tjerë të dy diktaturave më të mëdha të planetit. Trumpi e kishte ndoshta më shumë mendjen te vendi i tij, ku në më pak se 10 ditë po ndodh një zallahi e vërtetë me rrjetet e internetit në transportin ajror, në banka dhe deri te e famshmja Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA). Sa për Xi Jinpingun si mikpritësi, ndonëse u përpoq të shfaqej si më «i urti», si garantuesi i paqes dhe stabilitetit global, edhe ai sfidat kryesore i ka brenda vendit të tij. Tajvani ende nuk është ribërë pjesë e Kinës, ekonomia kineze po vuan nga ngadalësimi dhe plakja e popullsisë, pa folur për spastrimet radikale brenda kupolës ushtarake dhe të partisë përpara Kongresit të 21-të të Partisë Komuniste Kineze që mbahet vitin e ardhshëm. Ishte bile vetë Xi që hodhi poshtë idenë e “ribërjes së botës” sipas Jaltës, duke deklaruar se detyra e Kinës është të ruajë rendin ekzistues i vendosur që nga viti 1945.

Një takim i improvizuar ku dominuan “muskujt” bërthamorë

Ndryshe nga Jalta, e cila u përgatit me muaj të tërë dhe zgjati tetë ditë bisedimesh intensive, samiti i Shenzhenit ishte një ngjarje e improvizuar në minutat e fundit, në më pak se dy muaj. Takimi kokë më kokë zgjati rreth një orë – kohë e cila u përgjysmua edhe më tej nga nevoja për përkthim të njëkohshëm në tre gjuhë.
Për këtë takim nuk pati asnjë rend dite zyrtar të miratuar paraprakisht. Si rrjedhojë, nuk pati asnjë rezultat përfundimtar apo marrëveshje konkrete për Ukrainën, Iranin apo luftën tregtare SHBA-Kinë (me afatin e 10 janarit për tarifat doganore, tokat e rralla dhe mikroçipat).
Për ironi të fatit, e vetmja gjë që nuk ishte aspak e improvizuar, por e mirëmenduar dhe e koreografuar deri në detajin e fundit për këtë samit gjoja për paqen mes fuqive bërthamore, ishte pikërisht tregimi i muskujve bërthamorë. Secili prej liderëve erdhi në Kinë duke tundur shpatën atomike. Vladimir Putin zbarkoi fillimisht në një bazë në Vietnam i shoqëruar nga bombarduesit strategjikë Tupolev, mbajtës të bombave bërthamore (duke i shkelur edhe hapësirën ajrore Japonisë dhe Tajvanit). Në një moment edhe më folklorik, Putini bëri që kamerat të filmonin hapur ndihmësin e tij që mbante në dorë valixhen me kodet bërthamore. Donald Trump, nga ana e tij, u kujdes që dy ditë më parë të kryente një ushtrim force me raketën më të famshme balistike bërthamore amerikane, Minuteman, e cila përshkoi të gjithë Paqësorin në një distancë prej më shumë se 6 mijë kilometrash. Xi Jinping, ndërkohë, jo vetëm që refuzoi kategorikisht të angazhohej në diskutime për kufizimin e arsenaleve bërthamore, por i ka dyfishuar ato në pak vite (duke kaluar në mbi 600 koka) dhe synon që në vitet e ardhshme të arrijë nivelin ruso-amerikan me mijëra koka bërthamore. Refuzimi i Kinës për të hyrë në negociata reale për reduktimin e armëve bërthamore i la vendin një deklarate të vakët, diplomatike dhe aspak shtrënguese, ku tre vendet pohuan se duan “të angazhohen në një dialog mbi uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes bërthamore”. Futja me kujdes e termit “mospërhapje e armëve bërthamore” nuk ishte e rastësishme: ajo synonte me siguri të kënaqte Trumpin për të frenuar ambiciet e Iranit për bombë bërthamore, por njëkohësisht shërbente si një paralajmërim parandalues i Rusisë dhe Kinës ndaj Japonisë, në rast se kësaj do t’i shkonte ndërmend një ditë të pajisej me armë atomike.
Në mes të kësaj parade force, e vetmja arritje e mundshme dhe rreze drite në takimin kokë më kokë mes Trumpit dhe Xi Jinpingut duket të jetë pajtimi që të mos përdoret Inteligjenca Artificiale (IA) për drejtimin dhe lëshimin e raketave bërthamore – një “telefon i kuq” digjital i domosdoshëm, pasi lënia e butonit bërthamor në dorë të algoritmeve do të sillte një katastrofë planetare. Si konkluzion, i vetmi rezultat konkret që u arrit ishte “fotografia historike”, një kartolinë diplomatike e dobishme për imazhin e secilit nga të tre liderët.

Kundërpërgjigjja e Evropës në Berlin
Ndërsa treshja e Shenzhenit u përpoq të jepte mesazhin se fatet e planetit vendosen vetëm në tryezën e tyre duke e lënë Evropën jashtë loje, realiteti tregoi se fjala e “të munguarve” peshon po aq sa ajo e të pranishmëve. Asnjë rend i ri botëror nuk mund të imponohet pa ata që mbahen jashtë dere, sidomos kur bëhet fjalë për superfuqinë e tretë dhe të vërtetë ekonomike që është BE-ja. Si një kundërpërgjigje e menjëhershme dhe po aq e shpejtë, po këtë ditë me përfundimin e samitit të Shenzhenit, në Berlin u mblodh samiti evropian i “Koalicionit të Vullnetarëve” për Ukrainën. Ky takim me vende edhe përtej BE-së u mendua si një masë parandaluese dhe reaguese në rast se nga bisedimet e Shenzhenit do të dilnin pazare në kurriz të sigurisë evropiane dhe të Ukrainës. Me siguri që evropianët kanë ironizuar në Berlin me bllofin më të madh që nxori Putini nga goja në Shenzhen, ku njeriu që pushtoi pa asnjë arsye një vend fqinj duke shkelur çdo kartë ndërkombëtare, u paraqit si mbrojtës i flaktë i rendit botëror, duke deklaruar: “Ne (Moska) kemi qenë të pranishëm në zanafillën e krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara; ndaj ne mbajmë bashkërisht përgjegjësinë e ruajtjes dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare për ta përforcuar këtë sistem.” Evropianët, viktimat e para dhe gjysmëshekullore të perdes sëhekurt të Stalinit, e dinë më mirë se kushdo se ç’do të thotë premtimi për një rend më të sigurt evropian dhe botëror nga pasardhësit e Stalinit. Ndaj në Berlin, evropianët çojnë mesazh se pa Evropën nuk mund të ketë arkitekturë sigurie në kontinent. Një realitet që edhe vetë të dërguarit e Trumpit (Steve Witkoff dhe Jared Kushner) u detyruan ta pranojnë pas 20 muajsh negociata të pasuksesshme me Putinin, kur deklaruan se pa praninë e evropianëve në negociata lufta në Ukrainë nuk mbyllet dot. Takimi i Berlinit shërben pikërisht për të rikonfirmuar garancitë afatgjata për Kievin me dërgimin e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore, duke përfshirë dhe raketa mbrojtëse Patriot, si dhe me paketën e madhe financiare prej 45 miliardë eurosh. Putini si rastësisht bën të ditur pas Shenzhenit se evropianët janë të mirëpritur për negociata, por në Moskë…
Në përfundim, Shenzheni nuk prodhoi asnjë ndarje të re të botës. Ai konfirmoi se jetojmë në një epokë rivalitetesh dhe spektakli mediatik midis fuqive botërore, ku dëshira e më të fuqishmëve për ndarje në zona influence përplaset me pamundësinë për t’ia imponuar ato vendeve të treta, të paktën kampit të demokracive…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: