Titulli kampion bote me Ferrarin është kthyer në një obsesion të ëmbël për Sharl Lëklerkun. Piloti nga Monako nuk e fsheh dëshirën për të shkruar historinë me skuadrën italiane, një ëndërr që e shoqëron çdo ditë, nga momenti kur zgjohet deri në çastin kur mbyll sytë për të fjetur.
“Çdo mëngjes kur zgjohem dhe çdo mbrëmje kur shkoj të fle, mendimi im i vetëm është që një ditë ta sjell titullin botëror në shtëpi, dhe këtë ta bëj me Ferrarin”, rrëfen Lëklerk në librin e ri Ferrari, të gazetarit Tommaso Ebhardt.
Në këtë vepër, që zbulon historinë, sekretet dhe sfidat e markës legjendare nga Maranelo, Lëklerk rikthehet edhe te fillimet e ëndrrës së tij. Përpara se të bëhej pilot i Ferrarit, ai ishte një djalosh që admironte nga larg botën e kuqe të Maranelos.
“Mund vetëm të përfytyroja se çfarë fshihej pas këtyre dyerve”, kujton Lëklerk, duke e cilësuar vizitën e parë në fabrikën e Ferrarit si një ditë të veçantë, që i ushqeu edhe më shumë ëndrrat për të ardhmen.
Sot, veshja e kostumit të kuq për të nuk përfaqëson vetëm realizimin e një ëndrre, por edhe një përgjegjësi të madhe.
“Ishte një ëndërr për mua, por më duhej t’i lija emocionet mënjanë dhe të bëhesha agresiv”, shprehet piloti monegask, i vetëdijshëm se në pistë pasioni duhet të shoqërohet me vendosmëri, guxim dhe rezultate. Pavarësisht vështirësive dhe një sezoni të komplikuar për Ferrarin,
Lëklerk vazhdon të besojë te projekti i skuadrës, me të cilën dëshiron të fitojë gjithçka.
“Unë besoj 200 %. E di cili është vizioni ynë për vitet e ardhshme, i di vendimet që janë marrë për këtë sezon dhe për periudhën afatmesme e afatgjatë. Jam shumë optimist se gjithçka do të funksionojë”, thekson ai, duke konfirmuar edhe një herë përkushtimin ndaj Ferrarit, me të cilin ka rinovuar kontratën.
Në librin e Ebhardt, Ferrari paraqitet si një markë që duhet të ruajë identitetin e saj, ndërsa përballet me sfidat e së ardhmes, nga transformimi teknologjik deri te projekti i makinës së parë elektrike. Por për Lëklerkun, përtej historisë dhe madhështisë së markës, objektivi mbetet i qartë: të sjellë titullin botëror në Maranelo dhe të shndërrojë në realitet ëndrrën e tij të fëmijërisë, në emër të Ferrarit dhe miliona tifozëve të saj.