Banka Fibank Albania pritet të kalojë nën kontrollin e gjigantit bankar grek Eurobank, pas një marrëveshjeje prej rreth 1 miliard eurosh për blerjen e bankës mëmë në Bullgari.
Marrëveshja është firmosur, por ndryshimi i pronësisë nuk është përfunduar ende dhe pritet të realizohet gjatë vitit 2027, sipas raportimeve të Reuters.
Si fillim Eurobank do të paguajë rreth 650 milionë euro për të blerë 65% të aksioneve ndërkohë që marrëveshja është nënshkruar me dy pronarët që themeluan bankën, Ivailo Mutafchiev dhe Tzeko Minev.
Për Shqipërinë, kjo do të thotë se Fibank Albania, e cila zotërohet 100% nga Fibank në Bullgari, do të kalojë gjithashtu nën kontrollin e grupit grek, nëse marrëveshja miratohet nga autoritetet përkatëse.
Po çfarë ndodh me klientët e Fibank në Shqipëri?
Për momentin, asgjë nuk ndryshon në shërbimet bankare. Fibank Albania ka njoftuar se do të vazhdojë të punojë normalisht dhe t'u shërbejë klientëve deri në përfundimin e shitjes.
Blerja e 65% të aksioneve pritet të mbyllet në gjysmën e parë të vitit 2027. Eurobank synon të blejë edhe pjesën tjetër të aksioneve të Fibank, përmes një oferte që planifikon ta paraqesë gjatë tremujorit të dytë ose të tretë të vitit të ardhshëm.
Banka Bullgare për Zhvillim, e cila zotëron rreth 18% të Fibank, është zotuar t'i nxjerrë në shitje aksionet e saj, ndërsa rreth 17% e aksioneve të tjera tregtohen në bursë.
Marrëveshja nuk prek vetëm Shqipërinë. Me këtë blerje, Eurobank pritet të bëhet banka më e madhe në Bullgari, ku ka tashmë në pronësi Postbank. Plani është që Fibank dhe Postbank të bashkohen në fund të vitit 2027, duke krijuar një bankë që do të kontrollojë rreth një të pestën e tregut bankar bullgar.
Drejtori ekzekutiv i Eurobank, Fokion Karavias, tha se blerja do t'i japë grupit një pozicion shumë më të fortë në Bullgari, veçanërisht pas hyrjes së vendit në eurozonë në vitin 2026.
Eurobank nuk e përjashton mundësinë e blerjeve të tjera në rajon. Sipas Karavias, banka ka kapacitet financiar për t'u zgjeruar më tej, sidomos në fushën e sigurimeve dhe të administrimit të pasurisë.
Grupi grek ka blerë më parë edhe Hellenic Bank në Qipro, në vitin 2025, ndërsa vitin e kaluar raportoi një fitim neto prej 1,4 miliardë eurosh.
Fibank është e pranishme në tregun bankar shqiptar që prej vitit 1999, kur hapi degën e saj të parë në Tiranë, si pjesë e First Investment Bank në Bullgari. Në vitin 2006 u krijua Fibank Albania si bankë më vete, ndërsa në korrik 2007 mori licencën nga Banka e Shqipërisë dhe përthithi të gjithë aktivitetin e degës së mëparshme në Tiranë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Monitor, në fund të shtatorit të këtij viti Fibank Shqipëri zotëronte 3.3% të aktiveve totale të sektorit bankar, nga 3.2% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për vitin 2025, banka kishte një pjesë prej 3.3% të aktiveve të sektorit dhe 4.1% të tregut të kredisë.
Sektori bankar në Shqipëri përbëhet nga gjithsej 13 institucione (12 banka tregtare dhe 1 degë e bankës së huaj), nga të cilat 8 kanë kapital kryesisht ose tërësisht të huaj dhe 5 kanë kapital kryesisht vendas.
Ky vit shënoi edhe hyrjen në treg të Jet Bank, ose bankës së parë 100% digjitale dhe Ziraat Bank, degë e bankës shtetërore turke.











Komente
Komento