Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë në të gjithë vendin, në kuadër të luftës kundër prostitucionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Gjatë aksionit të koduar “Vjeshta 2026”, autoritetet kanë identifikuar 155 shtetase shqiptare në ambiente me muzikë live.
Operacioni u zhvillua në periudhën 3-17 nëntor, nën drejtimin e strukturave për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me institucione të tjera.
Kontrollet u përqendruan në 40 lokale me muzikë live, ku u evidentuan 285 persona, mes tyre 223 femra dhe 62 meshkuj. Nga të identifikuarit, 168 ishin shtetas të huaj. Përveç 155 shtetaseve shqiptare, në këto ambiente u gjetën edhe nëntë shtetase serbe, tri nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.
Gjatë inspektimeve, tetë lokale u mbyllën për shkak të shkeljeve administrative.
Aksioni përfshiu gjithashtu 62 qendra masazhi, ku u identifikuan 120 persona. Mes tyre kishte 94 femra dhe 26 meshkuj, ndërsa 47 rezultonin shtetas të huaj. Në këtë grup u evidentuan 27 shtetase tajlandeze, 19 shqiptare dhe një serbe. Edhe në këtë sektor pati masa administrative, me shtatë qendra të mbyllura.
Në total, numri i bizneseve që u mbyllën gjatë operacionit arriti në 15.
Ndërkohë, autoritetet evidentuan edhe katër raste të kundërvajtjes penale “Marrje me prostitucion”, të lidhura me aktivitetin e eskortës. Për këto raste u arrestuan tetë persona, katër meshkuj dhe katër femra, përfshirë shtetas të Kosovës, Shqipërisë, Brazilit dhe Kolumbisë.
Për personat e përfshirë u ndërmorën procedurat përkatëse ligjore, ndërsa ndaj shtetaseve të huaja u vendosën masa dëbimi dhe ndalim hyrjeje në Kosovë, nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Pavarësisht shtrirjes së gjerë të kontrolleve, Policia e Kosovës bën me dije se nuk është konstatuar asnjë rast i trafikimit të qenieve njerëzore. Grave të identifikuara në lokalet e natës, qendrat e masazhit dhe aktivitetin e eskortës iu dha mundësia të deklaronin nëse ishin viktima të shfrytëzimit apo trafikimit.
