“Nuk largohemi pa ikur Rama”, protestuesit vijojnë qëndresën në bulevardin përpara Kryeministrisë
Protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama vijon në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku qytetarët dhe aktivistët këmbëngulin se nuk do të tërhiqen deri në largimin e kreut të qeverisë.
Me thirrjet kundër kryeministrit dhe kabinetit të tij, protestuesit kanë rikonfirmuar vendosmërinë për të vijuar qëndresën, pavarësisht tensioneve dhe ndërhyrjeve të forcave të policisë gjatë ditëve të fundit.
Kërkesa kryesore e tyre mbetet dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës, ndërsa pakënaqësia shtrihet edhe ndaj klasës politike dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.
Protestuesit kundërshtojnë gjithashtu korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe politikat që, sipas tyre, kanë cenuar interesin publik. Ata shprehen se protesta nuk është thjesht një reagim kundër qeverisë aktuale, por një përpjekje për ndryshim më të gjerë politik.
Ndërkohë, prania e forcave të policisë dhe përplasjet e regjistruara në ditët e fundit nuk kanë zbehur thirrjet për vazhdimin e tubimit. Mesazhi që përsëritet në bulevard mbetet i njëjtë: protestuesit deklarojnë se nuk do të largohen pa përmbushjen e kërkesës për largimin e kryeministrit Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



