Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka bërë thirrje për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë kundër qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se përçarja mes tyre i shërben vetëm kryeministrit.
I ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Kedhi deklaroi se opozita duhet të lërë mënjanë dallimet, skepticizmin dhe pakënaqësitë e brendshme për t'u bashkuar rreth një objektivi të përbashkët: largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Ai theksoi se Partia Demokratike ka një vizion të qartë për daljen nga kriza dhe se çdo individ apo grupim që e konsideron veten në opozitë me qeverinë është i mirëpritur të kontribuojë, pa qenë e nevojshme të bëhet pjesë e PD-së.
Sipas Kedhit, opozita duhet të bashkohet rreth një kërkese të vetme: largimin e menjëhershëm të Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore me një plan të qartë pune.
‘Pyetja para nesh është do ja bëjmë qejfin autokratit dhe do bëjmë lojën e tij që të përçahemi apo do arrijmë që të dalim, të ngrihemi në lartësinë që kërkon sot Shqipëria dhe të lëmë mënjanë dallimet, skepticizmin, qejfmbetjet që kemi me njëri-tjetrin për një gjë më të madhe që na bashkon që është Shqipëria.
Zoti Berisha e ka thënë, kushdo dhe çdo funksionar i Partisë Demokratike është në një linjë për këtë. Unë personalisht jam në një linjë për këtë gjë sepse e besoj. Kushdo që e ndjen veten në opozitë, në oponencë me autokratin në pushtet është i mirëpritur të japë kontributin e tij. Nuk do të thotë që ne atë po e marrim dhe po e bëjmë pjesë të Partisë Demokratike.
Që ta bëj shumë të thjeshtë, që ta kuptojë çdo qytetar shqiptar që Partia Demokratike e ka një plan ose një vizion të caktuar se si dilet nga kjo krizë. Se ndoshta dikush mund të jetë i paqartë edhe nga ata që na ndjekin.
Autokrati mundet nëse shikon përballë një front, një front që ka vetëm një kërkesë: Rama largohet menjëherë dhe vendoset një qeveri tranzitore me një plan pune të qartë me disa pika të qarta të cilat do mund t'i bëjë. Në qoftë se ka një front të përbashkët këtu brenda që ka këtë kërkesë dhe nuk merret me këto cica-micet e vogla me dallimet që kemi ne, por del me këtë kërkesë për Shqipërinë, duhet ky bashkim për ta arritur këtë gjë specifike: qeverinë tranzitore. Edhe faktori ndërkombëtar që është një pikë kyçe shumë e rëndësishme në këtë ekuacion, një faktor i rëndësishëm, dhe faktori ndërkombëtar thotë, këtu janë të gjithë të bashkuar me këtë kërkesë, po rrisin presionin në maksimum, atëherë e rrisin dhe ata presionin në maksimum dhe bëhet kjo sinergjia e të gjitha palëve.
Tani, ata po të shikojnë këtu 10 grupime të ndryshme që të gjithë thonë nga 10 gjëra të ndryshme, ata s'merren fare thonë zgjidheni ju.
Pa diskutim, pa diskutim. Nga përçarja përfiton vetëm narkokrati. Tani në qoftë se arrihet qeveria teknike ose qeveri e tranzicionit me një plan pune të qartë, me një ndryshim të kodit, sistemit elektoral, me ligj për financimin e partive, me ligj për të ndarë partinë nga shteti e të gjithë elementët e tjerë për të përgatitur pra zgjedhje të lira dhe të ndershme, më pas në qoftë se ne rikthejmë Shqipërinë në shinat e normalitetit dhe ka një garantues të rregullave të lojës, ne do dalim dhe secili garon me alternativën e vet, me vizionin e vet dhe më pas ne garojmë të gjithë të barabartë njëri me tjetrin. Po si mund të garojmë ne sot të barabartë qoftë dhe partitë e vogla, këto partitë e reja, si mund të garojnë ato të barabarta kur nuk garon dot PD-ja, kur ti përballë ke partinë shtet me paratë e drogës, me miliarda euro, me krimin e organizuar që përmendët?’, u shpreh Nikola Kedhi në SYRI TV.
© SYRI.net