“Je 37 vjeç dhe ke dy fëmijë”, gruaja e tallte, Evertoni ia realizon ëndrrën tifozit
Një tifoz i Evertonit është bërë hit në rrjetet sociale pasi një video e tij duke u shtirur si trajner në dhomën e gjumit u përhap me shpejtësi në internet. Ajo që nisi si një shaka nga bashkëshortja e tij, përfundoi me një përvojë të veçantë, pasi klubi anglez vendosi t’ia realizonte ëndrrën.
37-vjeçari, i njohur në internet me nofkën “Mbrojtësi i Qendrës së Shëndoshë”, kishte improvizuar një konferencë për shtyp pas një ndeshjeje, duke luajtur rolin e trajnerit të Evertonit në lojën Football Manager.
Ai ishte ulur në dhomën e gjumit dhe po sillej sikur sapo kishte drejtuar skuadrën në një ndeshje, derisa bashkëshortja e tij hyri në dhomë dhe e filmoi.

“Je 37 vjeç, ke dy fëmijë, je ulur në dhomën tënde të gjumit duke luajtur Football Manager dhe duke u shtirur sikur po drejton një ekip”, i tha ajo, duke e ngacmuar për pasionin e tij.
Videoja u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe arriti deri te drejtuesit e Evertonit. Klubi vendosi t’ia bënte realitet ëndrrën tifozit, duke e ftuar në ambientet e tij për të mbajtur një konferencë të vërtetë për shtyp.
Në një video të publikuar nga Evertoni të mërkurën, tifozi u takua edhe me kapitenin e skuadrës, James Tarkowski.
“Mirëmëngjes, trajner”, e përshëndeti futbollisti, ndërsa tifozi iu përgjigj: “Mirëmëngjes, kapiten”.
Më pas, ai tregoi se ua kishte thënë të gjithëve se kapiteni ishte i pranishëm, duke e shijuar në maksimum këtë përvojë të veçantë.
"Morning, 'gaffer'!" 🤣 https://t.co/4qQemXGDqc
— Everton (@Everton) November 18, 2026
Kështu, ajo që nisi si një moment argëtues në dhomën e gjumit, përfundoi me një konferencë të vërtetë për shtyp në klubin që tifozi e mbështet. /Telegrafi/

































