Bosnja i ndalon hyrjen Milan Radoiçiç, e shpall kërcënim për sigurinë kombëtare


Bosnja dhe Hercegovina i ka ndaluar hyrjen Milan Radoiçiqit, të dyshuarit për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, duke e cilësuar atë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Vendimi është marrë më 13 nëntor, katër ditë para se Gjykata e Lartë në Beograd të urdhëronte paraburgimin e tij dhe shpalljen në kërkim, pasi Radoiçiq nuk u paraqit në polici, siç e detyronin masat e vendosura ndaj tij. Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga burime të sigurisë në Bosnje.
Me këtë vendim, nëse Radoiçiq tenton të hyjë në Bosnje dhe Hercegovinë, autoritetet do t’ia refuzojnë hyrjen ose do ta ndalojnë në kufi. Institucionet boshnjake nuk kanë dhënë ende shpjegime të mëtejshme për arsyet e klasifikimit të tij si rrezik për sigurinë.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska ka mohuar pretendimet se Radoiçiq ndodhet në territorin e saj apo se mbrohet nga strukturat policore të këtij entiteti.
Vendimi vjen në një kohë kur vendndodhja e Radoiçiqit mbetet e paqartë. Ai nuk është paraqitur para autoriteteve serbe, ndërsa mediat kanë raportuar, pa konfirmim zyrtar, se mund të jetë larguar drejt Rusisë.
Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues serbë. Në Kosovë, ai është pjesë e aktakuzës ndaj 45 personave për këtë sulm dhe po gjykohet në mungesë.
Në Serbi, ai është nën hetim për vepra penale që lidhen me armëmbajtjen dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, por deri më tani nuk është ngritur aktakuzë.
360grade.al



















