Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ndarë një sërë përfitimesh që sjell Buxheti i Shtetit 2027, i miratuar një ditë më parë në parim në Kuvend.
Përmes një videomesazhi nga një fermë blegtorale në Kavajë, Balla bëri të ditur se nga 1 janari 2027 do të ulet TVSH-ja për 54 produkte ushqimore nga 20% në 6%, duke sjellë uljen e çmimeve për konsumatorët.
Si shembull, ai përmendi qumështin, duke deklaruar se nëse aktualisht një litër kushton 1 000 lekë të vjetra në supermarket, nga janari pritet të kushtojë 880 lekë.
Një tjetër lehtësi, sipas Ballës, lidhet me çmimin e karburantit dhe heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës. Ai theksoi se një taksist apo fermer që konsumon 4 000 litra naftë në vit do të kursejë rreth 1 422 euro gjatë vitit 2027.
Balla nënvizoi se përfituesit kryesorë të politikave të reja janë familjet shqiptare, ndërsa vëmendje e veçantë i kushtohet edhe çifteve të reja. Në këtë kuadër, 10 mijë apartamente do të vihen në dispozicion të tyre, përmes tri skemave të ndryshme të mbështetjes, të mundësuara nga ndryshimet në ligjin për strehimin social.
Një tjetër masë e rëndësishme është mbështetja financiare për fëmijët e porsalindur. Përveç bonusit prej 400 mijë lekësh, sipas skemës së prezantuar nga Balla, familjet do të përfitojnë mbështetje mujore për pesë vitet e para: 50 mijë lekë për fëmijën e parë, 70 mijë lekë për të dytin dhe 100 mijë lekë për fëmijën e tretë.
Duke iu referuar këtyre përfitimeve, Balla u shpreh i kënaqur me politikat e parashikuara në buxhetin e ri, duke theksuar se ato synojnë lehtësimin e kostos së jetesës dhe mbështetjen e familjeve.
Buxheti i Shtetit 2027 u miratua në parim më 18 nëntor, ndërsa miratimi nen për nen dhe në tërësi është parashikuar të bëhet më 26 nëntor.










