Mali i Zi mbyll edhe dy kapituj të tjerë të negociatave me BE-në

Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE), duke e çuar në 25 numrin e kapitujve të mbyllur nga gjithsej 33.
Siç u bë e ditur në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel, bëhet fjalë për Kapitullin 16 - Tatimet dhe Kapitullin 22 - Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore.
Vendimin e bëri të ditur ministri shtetëror për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen i Irlandës, Thomas Byrne, i cili kryeson Konferencën Ndërqeveritare.
Ai theksoi se Mali i Zi deri më tani ka mbyllur më shumë se tre të katërtat e kapitujve të negociatave dhe po i afrohet synimit për t’i mbyllur të gjithë kapitujt deri në fund të këtij viti.
"Numri i kapitujve të mbyllur gjatë presidencës irlandeze është rritur në nëntë, që është numri më i madh i kapitujve që Mali i Zi ka mbyllur gjatë çdo presidence të Këshillit të BE-së", tha Byrne, duke shtuar se ky rezultat është arritur kryesisht falë reformave dhe punës së institucioneve malazeze.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e vlerësoi këtë si një sukses të rëndësishëm dhe rezultat të punës shumëvjeçare, duke theksuar se Mali i Zi i ka përmbushur kushtet për mbylljen e të gjithë kapitujve të mbetur deri në fund të vitit.
Sipas saj, që nga fillimi i vitit janë mbyllur 13 kapituj, duke e renditur Malin e Zi në vendin e tretë për nga numri i kapitujve të mbyllur brenda një viti, pas Lituanisë dhe Letonisë.
Kos theksoi se pas emërtimeve teknike të kapitujve të negociatave qëndrojnë reforma konkrete që do të ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve, përfshirë rregulla më të drejta tatimore, procedura më të thjeshta administrative dhe luftë më të fuqishme kundër mashtrimeve tatimore.
Përparimi në politikën rajonale, siç theksoi ajo, do t’i mundësojë Malit të Zi të përgatitet për shfrytëzimin efikas të fondeve të BE-së pas anëtarësimit.
Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, vlerësoi se mbyllja e përkohshme e kapitujve dëshmon se procesi i reformave po sjell rezultate konkrete dhe po e afron vendin drejt anëtarësimit në BE.
Ajo theksoi se përparimi në fushën e tatimeve nënkupton parashikueshmëri më të madhe për ekonominë dhe një kuadër më të favorshëm për investime dhe tregti, ndërsa në fushën e politikës rajonale prioritet është përgatitja e projekteve për shfrytëzimin e fondeve evropiane të kohezionit.
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe me Kroacinë, Kos shprehu shpresën se të dyja vendet do të arrijnë t’i zgjidhin çështjet e hapura, duke theksuar se BE-ja do të përpiqet të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje.
Gorçeviq deklaroi se Podgorica dëshiron t’i zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet me Zagrebin para anëtarësimit në BE, përfshirë çështjet e kufirit tokësor, për të cilat po zhvillohen bisedime në nivel të lartë.
Ndërkaq, Byrne shprehu bindjen se Mali i Zi do të arrijë t’i mbyllë kapitujt e mbetur deri në fund të vitit, duke theksuar se vendet anëtare po ofrojnë mbështetje për përmbylljen me sukses të procesit të anëtarësimit.
Në Konferencën Ndërqeveritare të mëparshme, të mbajtur më 6 nëntor në Bruksel, Mali i Zi mbylli përkohësisht Kapitullin 1 - Lëvizja e lirë e mallrave dhe Kapitullin 12 - Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare.
Mali i Zi i nisi negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2012, ndërsa mbyllja e përkohshme e të 33 kapitujve përbën një nga hapat kyç në rrugën drejt anëtarësimit të plotë. /AA/


































