Zgjerimi i Bashkimit Europian ishte në qendër të takimit të pestë të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, të zhvilluar në Bruksel nën drejtimin e Presidencës irlandeze. Ministri irlandez për Çështjet Europiane, Thomas Byrne, theksoi para 26 homologëve të vendeve anëtare synimin për të përshpejtuar procesin e integrimit në javët e fundit të Presidencës, përpara se më 1 janar drejtimin ta marrë Lituania.

Në fokus është edhe Shqipëria, për të cilën Irlanda synon të lehtësojë mbylljen e të paktën gjashtë kapitujve negociues gjatë vitit 2026.

“Viti 2026 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për zgjerimin, me më shumë se 60 kapituj të hapur ose të mbyllur, 51 prej të cilëve nën Presidencën Irlandeze të BE-së. Po e organizoj këtë diskutim me homologët e mi të BE-së për të diskutuar hapat e nevojshëm për të siguruar përparim të mëtejshëm deri në fund të Presidencës Irlandeze. Ne jemi të përqendruar fuqimisht në mbylljen e të gjithë kapitujve me Malin e Zi, hapjen e të gjitha grupkapitujve me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe lehtësimin e mbylljes së kapitujve me Shqipërinë”.- tha ministri.

Një tjetër çështje e diskutuar në Bruksel ishte përgatitja e Bashkimit Europian për sfidat e sigurisë, ku në vëmendje u vunë lufta hibride, dezinformimi dhe manipulimi, si rreziqe që mund të shoqërojnë procesin e zgjerimit.

“Ngjarjet në të gjithë Unionin në javët e fundit kanë treguar se përgatitja është më e rëndësishme se kurrë. Qasja e Strategjisë së përgatitjes së Unionit që përfshin të gjithë Evropën, të gjithë qeveritë, të gjithë shoqërinë dhe të gjitha rreziqet është thelbësore për të forcuar rezistencën e Evropës ndaj krizave të ardhshme, dhe kjo është ajo në të cilën do të përqendrohemi sot”.- u shpreh Byrne.

Gjatë Presidencës irlandeze, Shqipëria ka arritur të mbyllë katër kapituj negociues, tre prej tyre në ditët e para të kësaj presidence dhe një tjetër në tetor. Sipas udhërrëfyesit të ri të Komisionit Europian, objektivi është që numri i kapitujve të mbyllur të arrijë në dhjetë deri në fund të vitit 2026, ndërsa kapitujt e mbetur të përmbyllen gjatë vitit 2027.