Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, synon ta çojë Shqipërinë në Kampionatin Europian EURO 2028, duke u mbështetur te cilësitë e skuadrës dhe lidhja e fortë që tifozët kanë me përfaqësuesen kuqezi.
Në një intervistë për gazetën italiane “La Gazzetta dello Sport”, tekniku italian ka vlerësuar punën e bërë gjatë gjashtë muajve të parë në drejtimin e Shqipërisë, duke veçuar fitimin e grupit në Nations League dhe ngjitjen nga Liga C në Ligën B. Sipas tij, një prej arritjeve më të rëndësishme ka qenë rikthimi i besimit dhe entuziazmit te skuadra dhe tifozët.
“Shqipëria është një popull që e dashuron Kombëtaren në mënyrë të jashtëzakonshme”, u shpreh Maran, duke komentuar edhe videon e publikuar pas fitores ndaj Bjellorusisë. Ai tha se pamjet ishin një mënyrë për të ndarë gëzimin me tifozët, pasi ndeshja ishte zhvilluar në Budapest, në fushë neutrale dhe pa praninë e tyre.
Trajneri theksoi se në Shqipëri përfaqësuesja konsiderohet skuadra e parë për të gjithë dhe se tifozët e mbushin stadiumin sa herë ekipi luan në Tiranë, duke krijuar një atmosferë të veçantë. Sipas tij, kjo lidhje sjell edhe përgjegjësinë për t’i dhuruar kënaqësi një populli të tërë.
Duke folur për bilancin e muajve të parë, Maran u shpreh i kënaqur jo vetëm me ngjitjen në Ligën B, por edhe me statistikat e arritura nga skuadra, që sipas tij regjistroi numrin më të lartë të pikëve dhe golave të shënuar, si dhe numrin më të ulët të golave të pësuar në historinë e saj në këtë kompeticion.
“Shqipëria vinte nga një periudhë negative dhe ne u përpoqëm të ndryshonim mentalitetin dhe të arrinim rezultatet e kërkuara përmes një qasjeje që do të përfshinte jo vetëm lojtarët, por edhe tifozët. Dhe kjo funksionoi”, tha trajneri.
Sa i përket objektivit për EURO 2028, Maran vlerësoi se Shqipëria ka një skuadër konkurruese, me cilësi teknike dhe njerëzore, si dhe mundësi për të rinovuar gradualisht grupin. Ai vlerësoi gjithashtu punën e Federatës Shqiptare të Futbollit me ekipet kombëtare të moshave.
I pyetur nëse do të dëshironte që Italia të ishte mes kundërshtarëve të Shqipërisë në grupin kualifikues, trajneri pranoi se një përballje e tillë do të kishte një emocion të veçantë, por theksoi se synimi kryesor mbetet kualifikimi, pavarësisht kundërshtarëve.
Në intervistë, Maran foli edhe për disa prej futbollistëve kuqezi. Ai vlerësoi formën e Rey Manajt, për të cilin tha se ndodhet në kulmin e pjekurisë dhe po shënon shumë gola, ndërsa për Ernest Muçin veçoi cilësitë teknike dhe goditjen e fortë. Trajneri u ndal edhe te Cristian Shpendi, golashënuesi i Serie B me Cesena-n, duke thënë se sulmuesi do të ketë mundësitë e tij në Kombëtare.
Një koment të veçantë pati edhe për Elseid Hysajn, i cili aktualisht nuk ka kontratë me një klub dhe stërvitet me Empolin. Maran tha se mbrojtësi vazhdon të monitorohet nga stafi i Kombëtares dhe shprehu habinë që ende nuk i është dhënë besim nga një ekip, pavarësisht se sipas tij është në moshën e duhur për të luajtur në nivele të larta.
Tekniku foli gjithashtu për mundësinë e afrimit të futbollistëve me dy pasaporta, duke përmendur portierin Elia Caprile, i cili ka marrë pasaportën shqiptare për arsye familjare, por ende nuk e ka përfunduar procedurën përkatëse. Maran tha se, nëse do të ishte i disponueshëm, do të ishte një alternativë e vlefshme për Kombëtaren.
Për jetën në Tiranë, trajneri italian u shpreh se është përshtatur mirë me qytetin, të cilin e cilësoi mikpritës dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Ai vlerësoi edhe organizimin e FSHF-së, ndërsa tha se pasioni i tifozëve shqiptarë i jep krenari, por njëkohësisht edhe përgjegjësi.

