Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka akuzuar kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla për fshehje pasurie.
Nga tarraca e shtëpisë së tij, Shehaj tregoi një pallat shumëkatësh pranë stadiumit “Arena Kombëtare” në Rrugën e Elbasanit, ku sipas tij jeton Balla. Shehaj tha se aparatmenti është rreth 500 metra katrorë dhe i kërkoi Ballës të tregojë ku i ka marrë paratë për të justifikuar blerjen e një apartamenti të tillë.
Shehaj deklaroi se shtëpia e tij vlen rreth 2 milionë euro, ndërsa theksoi se mund të justifikojë çdo qindarkë të përdorur për blerjen e saj.
“Këtu ndodhen në tarracën e shtëpisë sime. Kjo mund të vlejë rreth 2 milionë euro. Atje te ai pallati atje jeton një deputet tjetër i Kuvendit të Shqipërisë, Taulant Balla. Balla ka deklaruar që ka një apartament 100 metra katrorë por ajo që është më e rëndësishme është se Taulant Balla nuk jeton aty në një dhomë e kuzhinë por jeton në një apartament prej të paktën 500 metrash katrorë dhe vlera e atij apartamenti mund të jetë e njëjtë, prej miliona eurosh. Diferenca midis meje dhe Taulant Ballës është që unë mund të justifikoj çdo qindarkë të parave që kam përdorur për të blerë këtë pronë, kurse Taulant Balla nuk e bën dot, sepse i mban fshehur. E sfidoj të bëjë të njëjtën gjë që po bëj unë. Të bëjë një video dhe t’u shpjegojë shqiptarëve ku jeton dhe ku i ka gjetur paratë. Ke deklaruar një apartament prej 100 metrash katrorë dhe jeton në një apartament prej 500 metrash katrorë, në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. E di e gjithë Tirana dhe Shqipëria që ti po fsheh pasurinë”, deklaroi Shehaj. Nuk të ka ardhur radha se nuk je i rëndësishëm, Taulant, por shumë shpejt do të vijë edhe te ti.” – tha Shehaj në videomesazh.