Aktivistja suedeze e njohur ndërkombëtarisht Greta Thunberg ka shprehur mbështetjen e saj për protestuesit në Shqipëri, duke deklaruar se zhvillimet në vend po ndiqen me vëmendje edhe në arenën ndërkombëtare.
Në një prononcim për News24, Thunberg tha se bota po ndjek atë që po ndodh në Shqipëri, ndërsa vlerësoi qëndresën e qytetarëve dhe veçanërisht energjinë e të rinjve që vijojnë të protestojnë në Tiranë.
“Bota është duke ndjekur se çfarë po ndodh në Shqipëri dhe jam krenare për rezistencën që shoh në Tiranë”, u shpreh aktivistja.
Ajo theksoi se mobilizimi i qytetarëve shqiptarë ka zgjuar interes edhe përtej kufijve të vendit, duke nënvizuar se energjia e të rinjve dhe e shqiptarëve ka frymëzuar shumë njerëz.
Thunberg u ndal edhe te përballja e protestuesve me policinë, duke shprehur shqetësimin për mënyrën se si po trajtohen qytetarët gjatë tubimeve.
“Policia po përdor dhunë të papranueshme ndaj qytetarëve”, deklaroi ajo për News24.
Përmes këtij reagimi, aktivistja ndërkombëtare përcolli një mesazh mbështetjeje për qytetarët që vijojnë rezistencën në rrugët e Tiranës, që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
