Sulmuesi ukrainas Mykhailo Mudryk u shpreh për herë të parë rreth rezultatit pozitiv për doping, të zbuluar në dhjetor 2024, duke thënë se nuk kishte dëgjuar më parë për substancën meldonium dhe se ajo kishte hyrë në organizmin e tij kur ishte në Ukrainë. Ai ngriti akuza të forta ndaj Federatës Ukrainase të Futbollit (UAF), duke akuzuar në mënyrë direkte edhe nutricionistin e kombëtares, të cilin e akuzoi se i jepte futbollistëve pilula dy ditë përpara ndeshjeve. Mudryk deklaroi gjithashtu se gjeti shumë pak mbështetje nga UAF dhe presidenti Andriy Shevchenko, dhe se ndër të paktët që i qëndruan pranë ishte trajneri i Tottenham, Roberto De Zerbi.
Federata Ukrainase e Futbollit dhe presidenti Andriy Shevchenko reaguan zyrtarisht, duke i hedhur poshtë akuzat e Mudryk si të pabaza dhe shpifje ndaj stafit, të cilin e përshkruan si të ndershëm dhe profesionist. Sipas komunikatës, pas pezullimit të Mudryk, përfaqësuesit e tij kontaktuan vazhdimisht UAF-në duke propozuar gjetjen e një punonjësi që të pranonte në mënyrë të rreme përgjegjësinë për meldoniumin e zbuluar në mostrën e tij; UAF refuzoi këtë propozim pasi bie ndesh me parimet e punës së saj. Komunikata thekson se akuzat e përfaqësuesve të Mudryk nuk janë konfirmuar dhe nuk mbështeten në asnjë provë, pavarësisht hetimeve dhe verifikimeve të shumta, dhe se “Hetimi dhe marrëveshja përfundimtare e arritur me ëADA-n dhe Federatën Angleze të Futbollit e konfirmojnë këtë.”
UAF deklaron gjithashtu se ka përmbushur kërkesën e Chelsea që gjatë grumbullimeve me kombëtaren Mudryk të mos i administroheshin medikamente. Sipas komunikatës, stafi i kombëtares respektoi këtë kërkesë, dhe trajneri Serhiy Rebrov i dha leje Mudryk që të shoqërohej nga dy specialistë personalë për monitorimin e trajtimit dhe rikuperimit të tij. UAF shprehet se ka përfunduar të gjitha verifikimet e nevojshme lidhur me çështjen, i ka vënë përfaqësuesve të Mudryk informacionin e kërkuar dhe ka mbajtur kontakte me personat që trajtojnë rastin.
Shevchenko thekson se i njeh prej shumë vitesh njerëzit që punojnë me kombëtaren dhe u shpreh se beson në profesionalizmin e tyre; ai kërkon nga Mudryk që, nëse disponon prova për pretendimet, t’i paraqesë, dhe nëse jo, të tërheqë publikisht akuzat dhe t’u kërkojë falje atyre që i ka vënë në dyshim.
