Një protestues, në një prononcim për gazetarin e News24, Osman Stafa, ka rrëfyer momentet e tensionit përpara Kryeministrisë, duke akuzuar Policinë për përdorim të spray-t lotsjellës ndaj qytetarëve që, sipas tij, po protestonin në trotuar.
Ai e cilësoi situatën absurde, duke pretenduar se efektivët fillimisht i kanë shtyrë protestuesit dhe më pas kanë përdorur spray, duke prekur edhe gra e fëmijë që ndodheshin në zonë.
“Ishte situatë absurde. Ne po protestonim te trotuari. Pasi na shtynë, nisën të hidhnin spray kundër qytetarëve. Na sulmuan në sy. Na shtynë në trotuar dhe më pas donin të na largonin edhe nga trotuari dhe më pas plasën spray. Aty kishte edhe fëmijë dhe gra. Ishte pa sens.
Ne kemi bërë njoftim në raport me lejen për protestë paqësore. Mesa duket, Policia nuk e njeh ligjin dhe firmën e drejtorit të Policisë. Nuk e njeh ligjin. Është urdhër politik. Edhe dje, teksa bisedoja me disa shefa të Policisë, në fund të bisedës thanë: ‘Është urdhër politik, nuk kemi çfarë të bëjmë’”, u shpreh protestuesi për News24, i cili mbeti i lënduar nga spray.
