Reforma e re në bujqësi, projektligji i ri i përafron skemat e subvencionimit me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hartuar projektligjin e ri “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual të vitit 2007 dhe të përafrojë plotësisht kuadrin ligjor dhe institucional të vendit me Politikën e Përbashkët Bujqësore (PPB) të Bashkimit Evropian. Sipas relacionit shpjegues që shoqëron projektaktin, kjo nismë përmbush detyrimet e kapitullit 11 të acquis-së, i hapur në kuadër të grupkapitullit 5 të negociatave të anëtarësimit në nëntor 2025, dhe parashikon një efekt financiar prej rreth 24 miliardë lekësh për një periudhë katërvjeçare, duke nisur nga viti 2026.
Fundi i skemave vjetore dhe kalimi te programimi 7-vjeçar
Deri më tani, kriteret, sektorët dhe masa e mbështetjes për fermerët janë përcaktuar kryesisht përmes vendimeve vjetore të Këshillit të Ministrave. Relacioni vëren se kjo qasje “u jep fermerëve pak siguri për vitet në vijim dhe nuk krijon një lidhje të qartë ndërmjet nevojave të sektorit, ndërhyrjeve të zgjedhura dhe rezultateve të matshme”.
Për të kapërcyer këtë problematikë, projektligji vendos një sistem programimi shumëvjeçar, të orientuar nga rezultatet, përmes Dokumentit Strategjik për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, i cili do të miratohet për një periudhë shtatëvjeçare dhe do të zbatohet nëpërmjet Programit të mbështetjes. Gjithashtu, ligji fut për herë të parë në legjislacionin kombëtar konceptet bazë të BE-së, si “fermeri aktiv”, “hektari i pranueshëm” dhe “fermeri në moshë të re”, duke krijuar një paketë të integruar mbështetjeje për rinovimin e brezave në bujqësi me akses përmes një pike të vetme kontakti.
Ndërhyrjet, kushtëzimi mjedisor dhe kontrollet satelitore
Sipas relacionit, ndërhyrjet mbështetëse ndahen në dy kategori kryesore. Ndërhyrjet vjetore për sipërfaqe ose krerë, që përfshijnë mbështetjen bazë të të ardhurave (e palidhur me prodhimin), mbështetjen e lidhur me prodhimin për sektorë me vështirësi, angazhimet vullnetare mjedisore e të mirëqenies së kafshëve, si dhe pagesat kompensuese për zonat me kufizime natyrore. Këto pagesa u jepen vetëm fermerëve aktivë. Ndërhyrjet strukturore e zhvillimore, që bazohen në projekte dhe plane biznesi për investime në fermë, përpunim, tregtim, infrastrukturë rurale, menaxhim të riskut (sigurime dhe fonde të ndërsjella) dhe bashkëpunim.
Një nga risitë kryesore është vendosja e parimit të kushtëzimit: përfitimi i pagesave vjetore lidhet drejtpërdrejt me respektimin e standardeve mjedisore, shëndetit publik, shëndetit të bimëve e kafshëve dhe praktikave të mira bujqësore.
Megjithatë, ligji parashikon një zbatim të shkallëzuar dhe proporcional, duke përjashtuar nga kushtëzimi fermerët e vegjël që përfitojnë pagesën e thjeshtuar.
Për të garantuar saktësinë e pagesave dhe mbrojtjen e fondeve publike, ngrihet Sistemi i Integruar i Administrimit dhe Kontrollit (SIAK), i cili do të shtrihet gradualisht brenda pesë viteve dhe do të përfshijë identifikimin gjeohapësinor të parcelave, monitorimin e sipërfaqeve me të dhëna satelitore, Regjistrin e Fermave dhe Regjistrin e Kafshëve.
Arkitektura institucionale dhe periudha kalimtare
Në përputhje me rregulloret evropiane, projektligji ndan qartë funksionet institucionale. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural shërben si autoritet menaxhues për programimin dhe si autoritet kompetent për akreditimin.
Agjencia e Pagesave (aktualisht AZHBR) organizohet si agjenci e vetme kombëtare për ekzekutimin dhe kontrollin e pagesave, me ndarje të rreptë të funksioneve të autorizimit, kryerjes dhe kontabilizimit. Organi i certifikimit vepron në mënyrë funksionalisht të pavarur për të audituar çdo vit llogaritë dhe ligjshmërinë e shpenzimeve.
Neni 45 i projektligjit përcakton edhe rregullat e periudhës kalimtare, duke garantuar se skemat ekzistuese të mbështetjes do të vijojnë të zbatohen deri në zëvendësimin e tyre me ndërhyrjet e reja, por jo më vonë se 24 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Projektakti është hartuar me asistencën teknike të projektit gjerman GIZ dhe pritet t’i nënshtrohet konsultimit publik përpara miratimit në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



