Kryesore

Igli Cara: Buxheti 2027 nuk u vjen në ndihmë shqiptarëve, 25% shkon për administratën e Ramës

20:45 - 19.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Deputeti i PD, Igli Cara, duke folur për projektbuxhetin 2027, ka deklaruar se shifrat e mëdha me të cilat mburret kryeministri Edi Rama nuk përkthehen në përmirësim të mirëqenies së qytetarëve. Cara theksoi se paratë e buxhetit janë të ardhura nga puna e shqiptarëve dhe biznesit, ndaj qeveria nuk mund t’i paraqesë ato si rezultat të miradministrimit të saj.

Sipas deputetit demokrat, rritja e buxhetit nga viti në vit është një proces i natyrshëm, i ndikuar nga rritja e çmimeve, inflacioni dhe të ardhurat fiskale. Por, sipas tij, çështja kryesore është se sa taksohen qytetarët dhe bizneset, si menaxhohen paratë publike dhe nëse ato kthehen në shërbime për qytetarët.

Ai ngriti shqetësimin për mënyrën se si shpenzohen fondet, duke përmendur tenderat pa garë dhe rastin e AKSHI-t. Sipas tij, kryeministri duhet të japë llogari për destinacionin e parave publike dhe për mënyrën se si ato përkthehen në pensione, shëndetësi, arsim, mirëqenie dhe siguri për qytetarët.

Cara u ndal edhe te struktura e buxhetit prej rreth 10 miliardë eurosh, duke deklaruar se 25% e tij shkon për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzime operative të administratës.

Sipas tij, një administratë e fryrë përthith një pjesë të konsiderueshme të fondeve, ndërkohë që ekonomia prodhuese nuk po merr mbështetjen e nevojshme.

‘Ky është një buxhet që, siç do të thoja, nuk do t’u vijë në ndihmë qytetarëve, pavarësisht propagandës së Ramës. Ajo që thashë është e vërtetë, sepse në shifra kemi një buxhet të madh. Por pyetja është: i kujt është ky buxhet? Të kujt janë këto para?

Shqiptarët duhet ta dinë se këto para janë të tyret. Ato kanë dalë pikërisht nga puna e qytetarëve, nga puna e njerëzve që punojnë, e bizneseve e kështu me radhë. Pra, ajo krekosja e Ramës është false, sepse këto para janë siguruar nga vetë shqiptarët dhe jo si rezultat i ndonjë miradministrimi nga ana e tij.

Është më se normale që buxheti të rritet vit pas viti, sepse rritet ekonomia, rritet inflacioni, rriten çmimet kudo dhe, për rrjedhojë, shtohen edhe të ardhurat. Kur rriten çmimet, pa diskutim që rriten edhe të ardhurat, për shkak të barrës fiskale e faktorëve të tjerë. Nuk ka vend në botë ku buxheti të mos rritet me kalimin e viteve.

Por çështja është: sa i takson shqiptarët? A i takson më shumë se ç’duhet? A takson vetëm biznesin e ndershëm, ndërsa lë pa taksuar pikërisht ata që ne i quajmë miqtë e Ramës? Dhe, mbi të gjitha, problemi është se si i menaxhon dhe si i shpenzon këto para.

Nëse paratë u merren shqiptarëve dhe më pas kalojnë te ministritë, ku devijohen dhe përfundojnë në destinacione të dyshimta, siç tregojnë edhe shembujt e shumtë të tenderave pa garë, që kemi parë kohët e fundit, përfshirë rastin e AKSHI-t, atëherë kemi të bëjmë me një shqetësim të madh. Rama ka detyrimin të japë llogari se ku shkojnë paratë e shqiptarëve.

Nëse paratë shkojnë në buxhet, a u kthehen ato qytetarëve? A kemi pensionet më të larta? A kemi një shëndetësi më të mirë, arsim më cilësor, jetë më të mirë, më shumë mirëqenie dhe siguri? Ky është problemi: për çfarë paguajnë shqiptarët? Ata paguajnë që t’u sigurohen shërbime dhe kushte më të mira jetese.

Kryeministri është administratori i parave publike dhe, në këtë kuptim, duhet të jetë i përgjegjshëm, t’i trajtojë të gjithë njësoj dhe, mbi të gjitha, të jetë i ndershëm.

Por çfarë ka ndodhur me këtë buxhet? Kur themi se buxheti është i madh, rreth 10 miliardë euro, kjo nuk do të thotë absolutisht se kemi një ekonomi më të fortë. Ekonomia nuk matet me sasinë e parave që ka buxheti, por me ndikimin që ato kanë në xhepin e shqiptarëve, në ekonomi dhe nëse shndërrohen realisht në përfitime për qytetarët.

Këtu kalojmë te një analizë më konkrete, për ta bërë edhe më të qartë për shqiptarët se ku shkojnë këto para.

Për shembull, çfarë ndodh me këto 10 miliardë euro? Ku shkojnë ato? Që në fillim po ju them se 25% e këtij buxheti, me të cilin Rama mburret, shkon vetëm për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzime operative. Pra, 25% shkon për vetë administratën e Ramës. Këtu nuk po llogarisim shoqëritë publike dhe bashkitë, të cilat kanë buxhetet e tyre.

Pra, një pjesë e konsiderueshme e parave shkon për administratën, e cila, siç e dimë, është fryrë ndjeshëm gjatë këtyre viteve. Por pyetja është: a po përdoren këto para për të stimuluar atë që ne e quajmë ekonomi prodhuese?

Të dhënat e vetë INSTAT-it tregojnë se sektorë të rëndësishëm të ekonomisë janë në rënie. Nëse bujqësia kontribuon me 15% të PBB-së, pyetja është se sa para i kthehen këtij sektori në formën e mbështetjes dhe investimeve. Sepse kur flasim për prodhimin, mbi të gjitha kemi parasysh prodhimin bujqësor dhe blegtoral. Të dy këta sektorë janë në rënie, ndërkohë që për bujqësinë janë dhënë vetëm 60 milionë euro investime.

Kjo është një shifër alarmante. Për ta kuptuar më mirë kontrastin, AKSHI ka në dispozicion rreth 160-170 milionë euro. Bëhet fjalë për atë institucion të famshëm që tashmë është nën hetim nga SPAK-u, për çështje që lidhen me dyshime për abuzimin me paratë e shqiptarëve për shërbimet elektronike.

Kuptoni se çfarë absurditeti kemi: AKSHI merr më shumë fonde se arsimi i lartë, më shumë se arsimi i mesëm dhe më shumë se shëndetësia. Kjo tregon se prioritetet e Ramës nuk janë ato që kanë më shumë rëndësi për shqiptarët: shëndetësia, arsimi, bujqësia dhe prodhimi.

Dhe vazhdojmë më tej. Dua të ndalem edhe te një çështje tjetër, pasi është bërë një propagandë e madhe për uljen e TVSH-së për ushqimet e 26 artikujve të shportës.’, u shpreh deputeti Igli Cara përballë gazetares Armela Ferko.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.