Greta Thunberg në mbështetje të protestuesve në Shqipëri: Rezistenca e shqiptarëve po frymëzon botën
Aktivistja suedeze e njohur ndërkombëtarisht, Greta Thunberg, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Në ditën e 173-të të qëndresës së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, Thunberg është shfaqur në krah të protestuesve, duke përcjellë një mesazh solidariteti dhe duke deklaruar se zhvillimet në Shqipëri po ndiqen me vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar.
Përmes një videomesazhi të publikuar nga Tirana, përpara Kryeministrisë, aktivistja vlerësoi rezistencën e qytetarëve shqiptarë, të cilët, sipas saj, po kundërshtojnë shkatërrimin e natyrës, korrupsionin dhe dhunën shtetërore.
Thunberg u ndal veçanërisht te përplasjet mes protestuesve dhe policisë, duke pretenduar se qytetarët janë përballur me dhunë dhe represion gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre për të protestuar.
Ajo theksoi se qëndresa e shqiptarëve ka marrë jehonë përtej kufijve të vendit dhe se lëvizja po frymëzon edhe qytetarë në vende të tjera.
“Bota qëndron në solidaritet me Revolucionin e Flamingove dhe po ndjek me vëmendje gjithçka që po ndodh”, ishte mesazhi i aktivistes suedeze.
Ndërkohë, përmes një postimi në rrjetet sociale, Thunberg përcolli edhe sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”, duke iu bashkuar thirrjeve të protestuesve që prej muajsh vijojnë mobilizimin në kryeqytet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



