F-117 Nighthawk, avioni amerikan që mori pjesë në bombardimet e Serbisë më 1999, ekspozohet në Virginia

Avioni luftarak amerikan F-117 Nighthawk, i njohur edhe si “Skifteri i Natës”, i cili u përdor nga Forcat Ajrore të SHBA-së gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe strategjike të ish-Jugosllavisë në vitin 1999, është vendosur për ekspozim në Virginia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gazetari Qëndrim Krasniqi, i cili ndodhet në SHBA, ka publikuar në rrjetin social Facebook pamje të avionit dhe materialeve informuese që tregojnë historinë e përdorimit të tij gjatë Operacionit “Allied Force”.
Në njërën prej fotografive shihet një tabelë informuese me titullin “Operation Allied Force 1999”, ku përshkruhet ndërhyrja ajrore e NATO-s në Kosovë dhe sulmet kundër objektivave strategjike të Serbisë.
Sipas informacionit të paraqitur në ekspozitë, më 2 maj 1999, avionët F-117 sulmuan infrastrukturën energjetike të Serbisë, duke përdorur armatim të projektuar posaçërisht për të goditur rrjetin elektrik.
F-117 Nighthawk ishte një prej avionëve më të avancuar ushtarakë të kohës, i projektuar me teknologjinë stealth, e cila e bënte shumë të vështirë zbulimin e tij nga radarët kundërshtarë.
Në fakt, bëhet fjalë për një avion të ekspozuar në Qendrën Steven F. Udvar-Hazy të Muzeut Kombëtar të Hapësirës dhe Aviacionit Smithsonian, në Chantilly të Virginia-s, pranë aeroportit ndërkombëtar Dulles.

Smithsonian njoftoi më 14 shtator 2026 se në koleksionin e tij po përfshihej ky avion, i cili pritej të ekspozohej për publikun në fund të tetorit.
F-117 u përdor edhe në sulmet kundër infrastrukturës energjetike të Serbisë. Sipas historikut të publikuar nga revista Air & Space Forces Magazine, më 3 maj 1999, avionët F-117 hodhën municione CBU-94 kundër pesë nënstacioneve elektrike të Beogradit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në rreth 70 për qind të territorit të Jugosllavisë.
Një detaj tjetër interesant për avionin në ekspozitë: ai mban nofkën “The Overachiever” dhe ka numrin serik 85-0818. Sipas të dhënave të Smithsonian, ky avion ka marrë pjesë në të katër operacionet kryesore luftarake ku u përdor F-117: në Panama, Irak, Jugosllavi më 1999 dhe Irak më 2003.
Në total, ai ka realizuar 60 misione luftarake, prej të cilave 12 gjatë Operacionit “Allied Force”.
Ndërkaq, Operacioni “Allied Force” nisi më 24 mars 1999 dhe përfundoi më 10 qershor të po atij viti, pas 78 ditësh sulmesh ajrore.
Sipas NATO-s, gjatë kësaj fushate u realizuan më shumë se 38 mijë fluturime, prej të cilave 10.484 ishin fluturime sulmuese./Telegrafi/


































