Një ftesë publike, por edhe për secilin kryetar të partive të vogla dhe grupimeve, përfshirë edhe atyre në protestë, Partia Demokratike e ka dorëzuar tashmë. Synimi kryesor është unifikimi i opozitës me qëllim arritjen e një rotacioni politik në zgjedhjet vendore 2027.

Ivi Kaso shprehet në “Frontline” në Report Tv se krah këtij procesi, PD po evidenton paralelisht figurat potenciale brenda saj.

“Ka dy procese paralelë që po zhvillohen. Ka një tentativë për të krijuar një front të gjerë opozitar që shkon përtej koalicionit që kemi garuar në zgjedhjet e fundit. Për këtë arsye u është bërë ftesë publike dhe individuale, krerëve të partive, subjekteve, forcave e lëvizjeve dhe grupimeve që përbëjnë protestën që të nisë një proces dialogu që të na çojë drejt një fronti të përbashkët opozitar për t’u përballur në procesin zgjedhor të ardhshëm për Tiranën dhe bashkitë e Shqipërisë. Unifikimi do të maksimalizonte shanset e opozitës. Besoj që nevoja e shoqërisë shqiptare tashmë është për një rotacion jo vetëm në pushtetin qendror, por edhe në njësitë e përditshme. Përtej këtij procesi kemi edhe proceset tona të brendshme, statutore që na lejojnë që të evidentojmë figura që mund të kenë potencial”, tha Kaso.

Dëshira e PD është që dakordësimi të arrihet brenda vitit, por Kaso shprehet se janë të vetëdijshëm se procesi nuk është i lehtë.

“Ka një afat ligjor që e parashikon ligji që është afati maksimal. Besoj që deri atëherë shumë gjëra do të jenë zgjidhur. Për ne, është përgjegjësia e forcës më të madhe opozitare që të sigurojë kushtet dhe të bëjë ofertën. Në mungesë të një vullneti do të marrim masat tona që të zhvillojmë proceset statutore. Interesi ynë elektoral është që kandidatët t’i kemi sa më parë. Synimi është të mbylleshin brenda vitit, por bëhet fjalë për procese jo të lehta që bëhen në një klimë politike jo kaq të relaksuar”, tha Kaso.

Në panelin e të ftuarve ndodhet edhe kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, i cili pohon se ka marrë një ftesë, por s’është takuar me askënd. Ai thotë se e vetmja zgjidhje është dakordësia e opozitës për draftin e Kodit Zgjedhor.

“Kam pasur një ftesë për t’u takuar këto ditë me një përfaqësues, nuk jam takuar, nuk e di a lidhet me këtë. Për Shqipërinë, diskutimi është a do të arrijmë ne, e gjithë opozita, të dakordësojmë një draft Kodi Zgjedhor që të jemi një zë te ndërkombëtarët, te BE, t’ia lëmë topin në dorë Edi Ramës dhe të thotë ai jo? Kodi Zgjedhor është zgjidhja sepse edhe shqiptari më i thjeshtë e ka kuptuar që problemi i Shqipërisë është shumë i qartë: Edi Rama, përmes manipulimit të vazhdueshëm, ka arritur të marrë avantazh. Kodi Zgjedhor është edhe rrugëdalje për PS”, tha Lapaj.