Dosja Çopja/ Ferhati: Transportuan 12 tonë kokainë drejt Belgjikës me vlerë 300 milionë euro
Organizata kriminale Çopja, e cila dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të Evropës, është në fokus të diskutimit në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus.
Gazetari Eni Ferhati tha se grupi ka transportuar 12 tonë kokainë drejt Belgjikës, në një rast të vetëm, me vlerë rreth 300 milionë euro, ndërsa sipas SPAK, aktiviteti kriminal ka gjeneruar 520 milionë euro në një vit e gjashtë muaj.
Ai e cilësoi organizatën si një grup kriminal të mirëfilltë, me nuanca të kartelit të drogës.
Ferhati: Është një nga organizatat kriminale, me dy personazhe, Franc Çopja dhe Ervis Çela, deri dje një personazh që nuk ishte shumë i njohur. Një organizatë që ka operuar kryesisht jashtë Shqipërisë. Nuk kanë futur drogë fare në Shqipëri. Droga vinte nga Amerika Latine drejt vendeve evropiane, kryesisht porteve kryesore. Sipas SPAK, bëhet fjalë për tonelata kokainë. Ervis Çela ka qëndruar disa vite në Indonezi, ku rrinte me identitet të rremë.
SPAK thotë se nga gjithë ky aktivitet, grupi Çopja ka arritur të gjenerojë 520 milionë euro vetëm për dy vjet. Nga kjo dosje që është dorëzuar në gjykatë, organizata ka arritur të transportojë 12 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Belgjikës, vetëm në një rast. Vlera e kësaj sasie droge shkon deri në 300 milionë euro. Kështu që mos t’ju duket 520 milionë euro shumë. Madje, kjo as për dy vjet nuk është, por për një vit e gjashtë muaj.
Para cash nuk janë gjetur, sepse dalja e lajmeve iu dha kohë grupeve kriminale të ishin në avancë për fshehjen e parave. Është një organizatë kriminale e mirëfilltë. Ne nuk kemi kartele droge, kjo organizatë ka nuanca të kartelit të drogës. Fakti që kanë punuar me persona të shumëkërkuar nga DEA amerikane ka ngritur edhe alarmin jashtë. Gjithë këto elemente kanë tërhequr edhe vëmendjen e DEA-s, ku shqiptarët po figurojnë si personazhe kyç në trafikimin e lëndëve narkotike.
/vizionplus.tv




