Dardan Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit dhe djali i Daut Krasniqit, ka ndarë një mesazh prekës për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, ku shpreh dhimbjen për situatën në të cilën ndodhet ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Në reagimin e tij, Dardani kujton bisedat e shumta që ka zhvilluar me të dhe e përshkruan Jakup Krasniqin si një nga njerëzit më humanë që ka njohur.
Ai shpreh gjithashtu indinjatën për faktin që Jakup Krasniqi, edhe në momentet më të rënda familjare, duhet të qëndrojë nën përcjellje të rreptë policore.
Mesazhi i plotë i Dardan Krasniqit për “Now me Erla Mëhillin”
“Njeriu siç e ka lindjen, e ka edhe vdekjen. Një njeri me minimum edukim, e ka të qartë këtë dhe e pranon, sado dhimbje të shkaktojë.
Megjithatë, situata me bacën Jakup, historia e jetës së tij që mishëron vuajtjet, sakrificën e besën edhe ajo më njerëzorja e një kombi të vuajtur dhe në kërkim të lirisë, e bëjnë situatën shumë më ndryshe dhe të japin një emocion të veçantë dhe jo lehtë të përballueshëm.
Personalisht kam pas fatin të jem afër tij shumë gjatë, e ku kemi zhvilluar biseda e kemi trajtuar tema nga më të ndryshmet!
E them qartë dhe me zë se nuk njoh njeri më human e me qasje më njerëzore ndaj të tjerëve dhe ta shohësh sot, në këtë moshë, të lodhur nga padrejtësia e vitet mbi supe, që edhe momentet më të rënda familjare t’i përjetojë nën përcjellje të rreptë policore, mendjes së shëndoshë dhe arsyes njerëzore, i vjen të pëlcasë”, thotë ai.
Jakup Krasniqi i është dhënë leje të qëndrojë gjithsej katër ditë në Kosovë. Sipas kushteve të përcaktuara për vizitën, gjatë ditës ai do të qëndrojë në shtëpinë familjare, ndërsa gjatë natës do të kthehet në objektet e EULEX-it.










