Buxheti 10 miliardë euro, Tomorri: Me këtë ritëm që po ulet euro, pas një muaji buxhet shkon 20 miliardë, ja pikat e forta
Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit, analizoi buxhetin e vitit 2027, i cili kalon shifrën e 10 miliardë eurove.
Tomorri e nisi analizën e tij me batutë, duke theksuar se pas një muaji buxheti mund të shkojë edhe në 20 miliardë euro, duke iu referuar rënies së monedhës evropiane në treg.
Ndërkohë, Tomorri renditi edhe disa nga aspektet pozitive të këtij buxheti dhe përfitimet që do të kenë qytetarët.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Është miratuar superbuxheti prej 10 miliardë eurosh dhe paketa fiskale. A ka ndonjë të mirë?
Tomorri: Po të presim edhe nja një muaj, do të shkojë në 20 miliardë euro, sepse sa më shumë bie euro, aq më shumë rritet buxheti.
Ky buxhet ka investimet publike më të larta që nga viti 2009. Investimet publike janë zëri më produktiv i buxhetit, krijojnë punësim, rritje ekonomike dhe ndihmojnë ekonominë. Kjo rritje është një nga pikat e mira.
Kjo rritje e investimeve publike nuk vjen në kurriz të shthurjes së disiplinës fiskale. Borxhi publik vjen në rënie dhe deficiti publik mbahet në nivel.
Pika tjetër e mirë janë masat që ulin kostot e jetesës. Bëhet fjalë për uljen e TVSH-së për produktet ushqimore, nga 20% në 6%, që prek 54 produkte ushqimore.
E mira e kësaj mase është se, teorikisht, lehtëson të varfrit, të cilët pjesën më të madhe të buxhetit e shpenzojnë për ushqim. Një ulje e TVSH-së i lehtëson ata. Tani, se sa kjo ulje do të përcillet në treg, këtë nuk e dimë. Studimet tregojnë se përcillet nga 20% deri në 50%.
Një tjetër pikë e mirë e buxhetit është se duket sikur ka një përpjekje nga qeveria për të dhënë më shumë për shtresat sociale, qoftë përmes bonusit, ku për pensionin e qytetit shuma shkon nga 18 mijë lekë të vjetra në 36 mijë lekë të vjetra. Ka një rritje të mbështetjes edhe për studentët, fëmijët jetimë dhe bonusin e bebeve, i cili është mujor dhe vazhdon deri sa fëmija të mbushë 18 vjeç.
Rakipi: Kur ulen kostot për familjet?
Tomorri: Më 1 janar hyn në fuqi paketa fiskale. Nga 1 janari, për ato produkte ushqimore, shteti nuk merr më 20% taksë.
Pra, nëse buka sot kushton 1200 lekë, në një botë ideale çmimi i bukës do të bjerë në 1060 lekë. Por në botën reale nuk ndodh kështu, pasi një pjesë shkon si fitim te pronarët. Pastaj do të thonë se u janë rritur kostot, pagat e punonjësve etj. Prandaj studimet thonë se, në rastin më të mirë, përcillet 50%.




