Kryeministri Edi Rama do të mbledhë paraditen e kësaj të shtune, më 21 nëntor, Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë.
Në fokus të mbledhjes do të jenë përgatitjet e strukturave socialiste për zgjedhjet e 9 majit për Bashkinë e Tiranës, si dhe organizimi i fushatës elektorale.
Kjo është mbledhja e dytë e Asamblesë së PS brenda pak ditësh, pasi javën e kaluar Rama mblodhi socialistët, ku në qendër të diskutimeve ishin zgjedhjet e ardhshme.
Po ashtu, Rama caktoi Ervin Demon dhe Albana Koçiun si bashkëdrejtues politikë të Partisë Socialiste në Tiranë.
Më herët, këtë detyrë e kanë mbajtur Taulant Balla dhe Ogerta Manastirliu.
Mbledhja e radhës zhvillohet në një moment delikat për Partinë Socialiste, në kushtet e përplasjes së fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg.
Ky i fundit ka kërkuar largimin e Ramës nga drejtimi i Partisë Socialiste përmes një mocioni mosbesimi, ndërsa ka kritikuar mënyrën se si funksionon aktualisht partia.
Veliaj ka pretenduar se vendimmarrja brenda PS-së është përqendruar në duart e një apo dy individëve.












