Prokuroria e Tiranës çon për gjykim Llambi Nika dhe Adelina Nikën, pronarin dhe administratoren e kompanisë “Nika” sh.p.k., të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të të ardhurave. Për të dy është caktuar masa e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Çështja u bë publike rreth një vit më parë në emisionin Stop, pas denoncimit të Pandeli Nikës, i cili pretendonte, se vëllai i tij kishte falsifikuar firmat në dokumentet e ortakërisë dhe i kishte marrë biznesin e ngritur së bashku që prej vitit 1996.
Pavarësisht denoncimeve të përsëritura në Sarandë, ku çështja ishte hetuar nga prokurorja Hava Memko, Pandeli Nika pretendonte, se nuk ishte marrë asnjë rezultat për falsifikimin e firmave dhe dyshimet për evazion fiskal.
Pas ndërhyrjes dhe publikimit të rastit në Stop, Pandeli Nika iu drejtua Prokurorisë së Tiranës, e cila kreu hetime dhe evidentoi rreth 11.7 milionë lekë detyrime tatimore të papaguara. Kështu, një çështje, që në Sarandë kishte mbetur pa zgjidhje, tashmë ka përfunduar në dyert e gjykatës.











