Deputetja e PS-së, Elisa Spiropali flet për herë të parë për Belinda Ballukun, ku kundërshtoi hapur modelin që ka ish-zv/kryeministrja në PS dhe në qeverisje. Spiropali akuzoi në ”Top Story” se “modeli Belinda Balluku është modeli më i keq në qeverisje”. E pyetur nga analistët në studio se cili është “modeli Balluku” ajo hezitoi ta sqaronte por foli në përgjithësi, duke u hutuar nga analiza e saj për situatën politike në PS. Spiropali shtoi edhe se ndien keqardhje për të në aspektin njerëzor.
”Dua ta them me plot gojën që sa u takon fjalëve që janë thënë për antiligjshmëritë, për lidhjet me partnerët, këto janë mënyrat, besoj unë, më primitive për të adresuar problematika që nuk kanë lidhje me të. Nëse mund ta them me emër, për Belinda Ballukun, dhe kam bërë një akt politik, mosvotimi për heqjen e imunitetit. Jo se dua të shoh një grua në pozita të tilla, por për shkak të moslegjitimitetit të modelit. Këtu fillon dhe mbaron problemi.
A ka vlerë emrat? Jo, vlerë ka modeli. Unë besoj se Belinda Balluku, që më del emri gjithkund me përballjen me vetveten dhe pse nuk e kam përmendur, është modeli më i keq i qeverisjes në forcën tonë politike dhe viktima më e freskët e një modeli që duhet të ndryshojë. Këtë kam menduar kur nuk kam shkuar të votoj. Kam keqardhje edhe për të, për faktin që është grua, për fëmijët, madje edhe për shpirtin e saj, lutem”, u shpreh Spiropali.
E pyetur edhe nëse ndihet e përjashtuar nga PS, Spiropali deklaroi se e konsideron nder të jetë anëtare e thjeshtë e kësaj force politike. Ajo theksoi se legjitimiteti i partisë buron nga anëtarësia dhe kritikoi abuzimin me pushtetin dhe manipulimin. ”E kam për nder të jem anëtare e thjeshtë e PS-së. Nga anëtari i PS-së buron legjitimiteti. Turp është të vjedhësh, të abuzosh me pushtetin, të manipulosh publikun. Dhe në të gjithë këtë propozim pa vendim dhe pa votim, unë nuk kam ndërmend të merrem dhe nuk dua të vë askënd në asnjë vështirësi. Shkova dje në Kuvend, se nuk di të jetë marrë ndonjë vendim në këtë forum. Nuk më lëviz qerpiku për Asamblenë apo forume të tjera”, tha ajo.
