Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar që anëtarësimi i Ukrainës në NATO të rikthehet në tryezën e diskutimeve, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës me Rusinë po intensifikohen.
Deklarata e Macron u bë pas samitit të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, të zhvilluar në Berlin, ku çështja e sigurisë së Ukrainës dhe e së ardhmes së saj pas luftës mbetet një nga temat kryesore.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale dhe qëndrimet maksimaliste të Rusisë, mendoj se duhet ta rihapim çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO”, deklaroi presidenti francez.
Ai bëri të ditur se këtë propozim e kishte ngritur edhe disa ditë më parë, por sipas tij, zhvillimet e fundit e bëjnë të nevojshme që diskutimi të rifillojë.
Macron kujtoi se perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancën Atlantike ishte lënë mënjanë gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, në një kontekst të ndryshëm nga ai aktual. Megjithatë, qëndrimet e Moskës dhe zhvillimet në fushën e betejës, sipas tij, kërkojnë një rivlerësim të kësaj çështjeje.
Presidenti francez e lidhi këtë debat edhe me garancitë e sigurisë që mund t’i ofrohen Kievit pas përfundimit të konfliktit. Sipas tij, Ukraina pritet të dalë nga lufta me një ushtri të madhe dhe të pajisur mirë, çka e bën të rëndësishme përcaktimin e rolit të saj në arkitekturën e ardhshme të sigurisë evropiane.
Macron theksoi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk duhet parë vetëm si çështje e sigurisë së Kievit, por edhe si një element që mund të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të Evropës.


