Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Erërat e fuqishme shkaktojnë dëme në disa rajone, Ferizaj mbetet pa rrymë

1
  • 19 nëntor 2026 22:28

  • Përditësuar: 19 nëntor 2026 23:00

  • Shpërndaje në:

Erërat e fuqishme që përfshinë Kosovën sonte kanë shkaktuar dëme në disa vende në Kosovë. 

Në Ferizaj, KEDS-i ka njoftuar se erërat e forta kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike, dhe me kërkesë të Policisë është ndalur energjia elektrike.  
“Si rezultat i situatës aktuale, ku erërat e forta kanë shkaktuar dëme dhe avari të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike, dhe me kërkesë të Policisë së Kosovës, KEDS njofton publikun për nevojën e domosdoshme për ndërprerjen e energjisë elektrike në Ferizaj.  Kjo ndërprerje është si masë preventive me qëllim sigurinë e përgjithshme të qytetarëve.  Ekipet tona janë në terren dhe në koordinim të plotë me institucionet gjegjëse”, thuhet nga KEDS-i.

E Komuna e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes. 

"Erërat e forta që kanë prekur mbrëmjen e sontme territorin e Ferizajt kanë shkaktuar dëme materiale në ekonomi familjare, biznese e ndërtesa publike, andaj APELOJMË të gjithë qytetarët që të shmangin daljet e qarkullimin për të evituar rreziqet e mundshme që mund të shkaktoj kjo gjendje. Ekipet tona të emergjencave janë në terren, prirë nga Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Alberton Sahiti dhe vazhdueshëm po intervenohet në rrugë e hapësira publike ku erërat e fuqishme kanë shkaktuar dëme e bllokime të qarkullimit si dhe intervenime në bazë të raportimeve nga qytetarët. Ju bëjmë thirrje të tregoni kujdes të shtuar dhe të ndërmerrni masa parandaluese për sigurinë tuaj dhe të familjeve tuaja", thuhet në njoftim. 

Po ashtu në Matiçan në Prishtinë nga një ndërtese kanë rënë dritaret dhe e kanë dëmtuar një veturë, ka njoftuar “KosovaPress”. Si pasojë e erës është ndalur edhe rryma. 

E erërat e forta kanë shkatërruar edhe një kënd lojërash në rrugën “Ali Aliu-Kelmendi” në Prishtinë, që është afër Rrugës C. Dëme janë raportuar edhe në  Lipjan. 

Dëme janë raportuar në Krushë të Madhe të Rahovecit e edhe në Prizren, shkruan “KosovaPress”. 

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të fryjë erë e fuqishme me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë.
 

 

Një person lëndohet nga erërat e forta në Ferizaj

1 o. më parë / 19 nën 2026 23:55
Ferizaj

Foto: Ferizaj Info

Një person është lënduar nga erërat e forta në Ferizaj të enjten, ka njoftuar Policia e Kosovës. 

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar. 

“Erërat e fuqishme që kanë përfshirë mbrëmjen e sotme territorin e Ferizajt, përfshirë edhe rrugët magjistrale, kanë shkaktuar dëme materiale në biznese, ndërtesa publike dhe  automjete. Po ashtu, është raportuar për një person të lënduar në Ferizaj. Policia Rajonale e Ferizajt apelon te të gjithë qytetarët që të shmangin daljet dhe lëvizjet e panevojshme, për të parandaluar rreziqet e mundshme nga kjo situatë”, ka njoftuar Policia. “Ekipet policore, në bashkëpunim edhe me komunën e Ferizajt, me ekipet emergjente, janë në terren dhe po intervenojnë në rrugë dhe hapësira publike, ku erërat kanë shkaktuar dëme dhe pengesa në qarkullim. Gjithashtu, po trajtohen edhe raportimet e qytetarëve”. 

KEDS-i ka njoftuar se me kërkesë të Policisë është ndalur rryma në Ferizaj, pas avarive të shumta që u shkaktuan në rrjetin energjetik.