Trump i jep vlerësimin maksimal samitit me Putin dhe Xi, Evropa kundërshton një marrëveshje për Ukrainën pa Kievin Një rast tronditës në Britani, ka tronditur opinionin publik. Katër burra janë shpallur fajtorë për abuzim seksual ndaj një gruaje, të cilën burri i saj e drogon dhe e shfrytëzonte pa dijeninë e saj për seks në internet, për 13 vjet.
Verdikti u dha të martën në Gjykatën e Kurorës në Winchester, raporton Daily Mail.
Philip Young, 50 vjeç, ish-këshilltar konservator i Swindon-it, kishte pranuar më herët fajësinë për 56 akuza përfshirë përdhunim, drogim të kryera ndaj gruas së tij Joanne Young, në shtëpinë e tyre në Swindon, Wiltshire.
Sipas prokurorisë, ai e drogonte gruan dhe më pas ftonte burra të tjerë përmes faqeve dhe aplikacioneve si Craigslist, Grindr dhe Fab Swingers, që ta abuzonin pa dijeninë e saj. Hetuesit zbuluan se Young kishte bërë 480 foto dhe video intime të gruas së tij në 200 raste dhe kishte postuar imazhe online në të paktën 500 raste.
Hetimi nisi pasi policia u alarmua në vitin 2023 se ai kishte ngarkuar imazhe pornografike ekstreme në internet.
Juria shpalli fajtorë: Norman Macksoni, 48 vjeç, fajtor për përdhunim, Richard Wilkins, 62 vjeç, fajtor për përdhunim dhe sulm seksual, Connor Sanderson-Doyle, 32 vjeç, fajtor për sulm seksual, Mohammed Hassan, 38 vjeç, fajtor për sulm seksual. Ndërsa, Dean Hamilton, 47 vjeç, kishte pranuar më herët fajësinë për përdhunim dhe sulme seksuale.
“Kjo është hera e parë në MB që një juri dënon ose i kërkohet të shqyrtojë një rast të abuzimit seksual të organizuar, të lehtësuar nga droga, të organizuar nga bashkëshorti”, tha Prokurori i CPS, James Foster.
Joanne Young, e cila ka hequr dorë nga e drejta për anonimitet, doli nga gjykata duke fshirë lotët dhe duke buzëqeshur me policët.
“Abuzimi më kushtoi jetën time siç e njihja. Personi të cilit i besoja më shumë në botë më tradhtoi në mënyrën më të tmerrshme. Kjo ka pasur një ndikim shkatërrues në jetën time dhe të fëmijëve të mi. Ajo që më ndodhi nuk ishte akti i një burri të vetëm, të tjerët u ftuan të merrnin pjesë dhe ata zgjodhën ta bënin. Ky vendim i bën ata bashkëfajtorë”, tha para gjykatës Joanne.
Ajo i bëri thirrje qeverisë të rishikojë ligjin për pëlqimin si prioritet, që gratë të “mbrohen siç duhet në të ardhmen”.
Gjykatësi, Mr Justice Saini, e vlerësoi atë për “guxim të jashtëzakonshëm” gjatë gjithë procesit. Një oficer policie u pa duke qarë teksa dilte nga salla. Të gjithë të pandehurit u paralajmëruan të presin dënime të gjata me burg kur të dënohen më 21 dhe 22 dhjetor.
Ky rast u krahasua me rastin e famshëm në Francë të Gisele Pelicot, burri i së cilës e drogon dhe ftonte rreth 50 burra të tjerë ta abuzonin. Edhe Pelicot hoqi dorë nga anonimiteti. Policia britanike kërkoi madje ekspertizën e hetuesve francezë për të ndërtuar çështjen.
Top Channel