Antonio Conte ka rrëfyer përvojën e tij te Interi, ku mbërriti në vitin 2019, në një intervistë për “Cronache di Spogliatoio”. Misioni, sipas trajnerit, ishte i qartë që në fillim dhe iu përcoll nga presidenti i atëhershëm Zhang dhe drejtori Marotta: ta kthejnë klubin te fitorja, t’i japin fund hegjemonisë së Juventusit në Itali dhe të bëjnë figurë të mirë në Europë, pasi zikaltrit nuk fitonin prej dhjetë vitesh.
Marotta, kujton Conte, i kishte thënë se mund ta mundin Juventusin. Largimi pas fitimit të titullit, në fund të sezonit të dytë, u shpjegua gjithashtu nga Conte. Në një mbledhje, tregon ai, i thanë se praktikisht të gjithë lojtarët mund të shiteshin, ndërsa marrëveshjet mbi të cilat kishte ardhur ishin të ndryshme.
Edhe pse situata e COVID-it bllokoi investimet e Zhang, kushtet kishin ndryshuar. Sipas Contes, kur angazhohesh me një klub, angazhohesh edhe me një popull dhe me tifozët. Trajneri tregoi gjithashtu se si e ndihmoi Romelu Lukakun të bëhej sulmues më i kompletuar.
Belgu nuk ishte mësuar të luante me shpinë nga porta dhe në fillim i thoshte se dinte vetëm të sulmonte hapësirat, pa e mbajtur topin. Pas stërvitjes, nisën t’i gjuajnë fort topa me makinën automatike, ndërsa Paolo Vanoli i afrohej nga pas për ta shqetësuar, i veshur me mbrojtëse prej sfungjeri që të mos lëndohej.
