Moti në vendin tonë do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat veriore.
Gjatë paradites, bregdeti dhe zonat e ulëta do të kenë mot relativisht të qëndrueshëm, ndërsa në veri nuk përjashtohen reshje të izoluara shiu, në formën e rrebesheve të përkohshme.
Gjatë pasdites do të vijojë i njëjti trend atmosferik, me intervale me diell dhe vranësira të herëpashershme. Megjithatë, në orët pas mesnate pritet shtim i vranësirave, të cilat do të favorizojnë shfaqjen e reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të territorit.
Edhe temperaturat do të shënojnë një rënie, si në vlerat minimale, ashtu edhe në ato maksimale. Sipas parashikimit, termometri do të luhatet nga 6°C në Ersekë, deri në 23°C në zonat ku priten vlerat më të larta.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë me intensitet mbi mesataren, kryesisht nga drejtimi veriperëndimor, duke arritur shpejtësi deri në 60 km/h. Për shkak të forcimit të saj, në zonat bregdetare deti pritet të paraqitet me dallgëzim deri në 4 ballë.












