Llumnica: 17 punëtorë të KEK-ut kanë vdekur gjatë vitit 2026
Nënkryetari i Sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 kanë vdekur 17 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës, katër prej tyre në aksidente fatale, ndërsa për 13 të tjerë dyshohet se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e sëmundjeve profesionale.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Llumnica ka thënë se punëtorët e KEK-ut vazhdimisht janë të ekspozuar ndaj rreziqeve në vendin e punës, përfshirë gazrat helmues, pluhurin dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin e tyre.
Ai ka theksuar se natyra e punës në KEK është e vështirë dhe e rrezikshme, ndërsa dyshimet për sëmundje profesionale te 13 punëtorët e vdekur i ka lidhur me ekspozimin gjatë procesit të punës.
“Vetëm gjatë vitit 2026 kemi pasur 17 punëtorë të cilët kanë vdekur. Katër prej tyre kanë qenë në aksidente fatale, ndërsa për 13 të tjerë ne mendojmë se kanë vdekur nga sëmundjet profesionale, duke u bazuar në gazrat helmues, pluhurin dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin e tyre si pasojë e procesit të punës”, ka thënë Llumnica.
Përkundër kushteve të vështira dhe rrezikshmërisë së punës, ai ka vlerësuar se pagat e punëtorëve nuk janë të kënaqshme, duke bërë që sindikata të kërkojë rritjen e tyre dhe përfitimin e pagës së 13-të.
Llumnica ka bërë të ditur se pas protestës së javës së kaluar, të mërkurën kanë zhvilluar negociata me bordin dhe menaxhmentin e KEK-ut, të cilët kanë kërkuar dy deri në tri ditë kohë për t'i shqyrtuar kërkesat e punëtorëve dhe për të dhënë një përgjigje.
Ai ka paralajmëruar se nëse nuk ka përgjigje pozitive, protesta dhe greva e paralajmëruar do të vazhdojnë.
“Ne kemi kërkuar ngritjen e pagave dhe pagën e 13-të, ashtu siç e kanë marrë i gjithë sektori publik. Është e pakuptimtë që punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës të mos e marrin pagën e 13-të, duke u bazuar në kushtet e tyre, në prodhimin e një shërbimi jetik dhe në rrezikshmërinë e punës së tyre”, ka deklaruar ai.
Sipas Llumnicës, punëtorët e KEK-ut ndihen të diskriminuar, pasi rreth 30 milionë euro, siç ka thënë ai, janë rialokuar nga ndërmarrjet publike për pagesën e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik, ndërsa KEK-u nuk ka përfituar nga ky proces.
Ai ka theksuar se sindikata nuk është kundër përfitimeve të punëtorëve të sektorit publik, por kërkon që edhe punëtorët e KEK-ut të trajtohen njësoj, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e punës dhe rëndësinë e shërbimit që ofrojnë.















