Erërat e forta shkaktojnë dëme në Ferizaj, zjarrfikësit me intervenime të shumta

Zjarrfikësit në Ferizaj janë përballur sot me intervenime të shumta, si pasojë e erërave të forta që kanë përfshirë komunën.
Përmes një njoftimi, Zjarrfikësit e Ferizajt kanë bërë të ditur se erërat e fuqishme kanë shkaktuar dëme materiale në objekte të ndryshme.
“Zjarrfikësit sot janë përballur me intervenime të shumta, pas erës së madhe që ka përfshirë komunën e Ferizajt. Janë bërë edhe dëme materiale nëpër objekte të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, ekipet zjarrfikëse kanë intervenuar për largimin e llamarinave të varura që paraqisnin rrezik, si dhe të drunjve të rrëzuar që kishin bllokuar rrugët. Po ashtu, janë kryer edhe intervenime të tjera për t'u përballur me pasojat e motit të lig.
“Çdo herë në shërbim të qytetarëve”, thuhet në fund të njoftimit të zjarrfikësve të Ferizajt. /Telegrafi/



































