Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në qendër të Orikumit, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën 63-vjeçari Xhevair Xhelili, i cili udhëtonte në njërin prej automjeteve.

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe disa persona, të cilët janë transportuar në ambientet e Spitalit të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore. Mësohet se në automjetin tjetër udhëtonin disa punëtorë të huaj, të cilët po shkonin drejt zonës bregdetare të Vlorës për të punuar.

Ndërkohë, trupi i pajetë i 63-vjeçarit është transportuar në morgun e spitalit. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e përplasjes.

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 07:20, në aksin rrugor “Orikum-Llogara”, në Fushë Dukat, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin Xh. Xh., rreth 62 vjeç, dyshohet se është përplasur me automjetin tip “Renault”, me drejtues shtetasin M. H., 36 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje, shtetasi Xh. Xh.

Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit “Renault”, shtetasi egjiptian M. H., dhe pasagjeri, shtetasi M. N., rreth 40 vjeç, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.

3 pasagjerët e automjetit tip “Renault” janë shoqëruar në Komisariat dhe po kryhen veprimet procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb