Sipas njoftimit të kryetarit të këtij komisioni, Burim Ramadani, intervistimi do të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, ku do të dëgjohen dy zyrtare të Komunës së Pejës dhe një zyrtar i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Para komisionit do të intervistohen drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, si dhe zyrtarja për Barazi Gjinore në këtë komunë, Samka Drançolli.

Po ashtu, do të intervistohet Blerim Shabani, drejtor i departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Komisioni është duke shqyrtuar përgjegjësitë institucionale, veprimet dhe mosveprimet që lidhen me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe mënyrën e trajtimit dhe mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje, veçanërisht grave dhe fëmijëve.