Kuvendi shpall masa emergjente për energjinë, do të jenë në fuqi për 60 ditë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë.
Vendimi mori mbështetjen e 61 deputetëve, ndërsa pika u përfshi në rendin e ditës përmes një mocioni, gjatë seancës që vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.
Sipas masave të miratuara, ndërmarrja “Ibër-Lepenci” obligohet të prodhojë energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.
Po ashtu, parashihet themelimi i një Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të ketë rol në trajtimin e situatës së krijuar në sektorin energjetik.
Vendimi u përcoll me kundërshtime nga opozita.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, kërkoi dorëheqjen e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke e bërë përgjegjëse për krizën energjetike në vend.
Kritika pati edhe nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, e cila kundërshtoi qasjen e Qeverisë ndaj sektorit të energjisë dhe mënyrën e rregullimit të këtij tregu.
Ndërkohë, Kuvendi miratoi në parim edhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, me 61 vota për. Votimi u zhvillua rreth orës 00:45, pasi edhe kjo pikë ishte përfshirë në rendin e ditës përmes mocionit.
Gjatë diskutimit, Ymeri kritikoi projektligjin, duke pretenduar se tregtarët e energjisë kanë ndikim mbi rregullatorin dhe se ndryshimet ligjore janë bërë vetëm për të përmbushur kërkesat e paketës evropiane.
Me 61 vota për, deputetët miratuan në lexim të parë edhe Projektligjin për Efiçencën e Energjisë, ndërsa votimi për këtë pikë përfundoi rreth orës 01:15.
Pas orës 02:00, Kuvendi miratoi në lexim të parë edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, me 62 vota për, 8 kundër dhe një abstenim. Ky projektligj u kundërshtua nga deputetët e Listës Serbe. /kp/

































