I ftuar në një lidhje Skype në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, diplomati Agim Nesho ka kritikuar ashpër sjelljen e kryeministrit Edi Rama gjatë takimit të Berlinit për mbështetjen e Ukrainës, duke e cilësuar atë një shfaqje që dëshmon mungesën e seriozitetit në një moment kritik për sigurinë europiane.
Nesho u ndal te momenti kur Rama iu hodh në qafë kryeministrit të Belgjikës, duke theksuar se gjeste të tilla në takime ku diskutohen çështje vendimtare për të ardhmen e Europës tregojnë mungesë përgjegjësie politike.
Diplomati u shpreh se Europa ka humbur rolin dhe peshën e saj në rendin botëror, ndërsa nuk arrin të ndërtojë një arkitekturë të përbashkët sigurie dhe të flasë me një zë të fuqishëm përballë sfidave ndërkombëtare.
Pjesë nga intervista:
Sigurisht, në radhë të parë, të tre protagonistëve kryesorë, tre shteteve, fuqive bërthamore, të cilët u mblodhën për qëllimin që të negociojnë për uljen e përdorimit të armëve bërthamore. Ky ishte qëllimi kryesor, por në fakt ishte një shprehje force që, me ndryshimin e rendit ndërkombëtar, ne jemi prezentë, ne jemi fuqitë të cilat do të marrim përsipër që paqja dhe stabiliteti të kalojnë ndërmjet nesh.
Duhet të them, pse Europa mungoi? Europa që ishte prezente pas Luftës së Dytë Botërore, një Europë e cila vërtet ishte viktimë e gjithë ekspansionit dhe e shkatërrimit nazist-fashist në atë kohë, por një Europë e cila sot përbën fuqinë më të madhe të GDP-së në botë, po ta shikosh si Bashkimi Europian, por që nuk ka një zë të fuqishëm, nuk ka një arkitekturë të sigurisë dhe një Europë e cila të ketë vendin e saj të merituar në rendin botëror.
Po pse, a e meriton Europa këtë gjë? Unë vetëm me një fakt do të them. Pamë takimin e djeshëm, dje në Gjermani u bë koalicioni i vullnetit të mirë për të ndihmuar Ukrainën. Dihet që Ukraina është çështje ekzistenciale për të ardhmen e Europës. Kemi një armik të Europës që është Rusia, e cila në 2022 ka bërë një sulm ndaj një vendi sovran, anëtar i Kombeve të Bashkuara, duke kryer edhe krime kundër njerëzimit. Sigurisht, ky opinion publik sot në Europë e shikon se si mundet një fuqi e tillë agresore, revizioniste, e cila nuk kërkon që të përfundojë veprimin e saj në Ukrainë, por kërkon që të ndajë Europën edhe një herë nga e para, siç është Rusia, të jetë forcë dominuese në këtë shfaqje të madhe të tre fuqive kryesore. Por, nga ana tjetër, a e meriton Europa këtë gjë?
Pamë dje në këtë takim të Berlinit një show ku kryeministri shqiptar i hidhej në qafë, në momente kritike, më decisive, kryeministrit të Belgjikës, për të bërë një show, duke treguar që s'ka seriozitet.
Nga ana tjetër, Europa nuk është e aftë të menaxhojë një shtet narkoshtet siç është Shqipëria, por e merr dhe i jep mundësi për të bërë edhe furnizimin me armë të Ukrainës, ku njerëzit e ndërmjetëm, siç është Roni Yeffet, i thotë partnerit të Ukrainës: "Siç je ti i pasur, dua të fitoj dhe unë."
Pra, Europa, me këtë bashkim që ka njerëz të tillë të narkodiktaturës, e cila kërkon të fitojë nga Ukraina, domethënë, në qoftë se kemi një Europë që shpall rendin e vjetër botëror të bazuar në moral, të bazuar në ligje, por shikojmë një Europë e cila është në konfuzionin e saj më të madh, ku çështjen e Ukrainës e ka parë në mënyrë tepër të largët për ta zhvendosur konfliktin në Ukrainë, që të mos kishte mundësi Rusia të avanconte në Europë, domethënë, të ishte larg konflikti nga vetja e saj sesa të zgjidhte konfliktin.
Kemi parë një Europë që është gati të bashkohet me narkotrafikantët për të bërë dhënien e municioneve. Këtu fitohen vetëm interesat korruptive të këtyre njerëzve dhe atyre që i përkrahin nga ana e Europës. Edhe kjo është, domethënë, për të parë seriozitetin e kësaj Europe në një fragment që lidhet me vendin tonë. Mendo edhe për sa probleme të tjera mund të flasin. Prandaj Europa e ka humbur momentin e saj për të kërkuar një fuqi që e meriton dhe duhet të jetë në skenën botërore për të qenë prezente, për të marrë përgjegjësi, detyrime dhe për të luftuar për atë që Von der Leyen thotë gjithmonë, që ne jemi përkrahës të vlerave dhe parimeve europiane, të një shteti të së drejtës, të demokracisë funksionale dhe të tjera.
© SYRI.net