Valverde rinovon me Real Madridin deri në vitin 2031, bëhet një nga lojtarët më të paguar të skuadrës

Valverde rinovon me Real Madridin deri në vitin 2031, bëhet një nga lojtarët më të paguar të skuadrës

08:47, 20/11/2026

Federico Valverde do të vazhdojë të jetë pjesë e Real Madridit edhe për shumë vite. Sipas asaj që raporton gazeta spanjolle “AS”, mesfushori uruguaian ka arritur marrëveshjen me klubin madrilen për rinovimin e kontratës deri në vitin 2031. Marrëveshja aktuale ishte e vlefshme deri në vitin 2029.

Ky rinovim është një vlerësim për rëndësinë që ka fituar Valverde në skuadër, si për paraqitjet në fushë, ashtu edhe për rolin e tij si kapiten. Përveç zgjatjes së kontratës, lojtari do të përfitojë edhe një rritje të pagës, duke u bërë një nga futbollistët më të paguar të ekipit.

Valverde ka fituar besimin e trajnerit Jose Mourinho, i cili e vlerëson shumë përkushtimin dhe aftësinë e tij për të luajtur në pozicione të ndryshme. Uruguaiani ka luajtur si në mesfushë, ashtu edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke treguar se është i gatshëm të ndihmojë skuadrën aty ku ka më shumë nevojë.

“Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin. Fakti që është kapiten i Real Madridit e bën të ketë një përgjegjësi të veçantë. Nëse është e nevojshme, mund të luajë edhe si mbrojtës i majtë”, është shprehur Mourinho.

Edhe vetë Valverde ka treguar vlerësimin për trajnerin portugez, duke theksuar se përpiqet të japë më të mirën si kapiten dhe të ndihmojë shokët e skuadrës dhe stafin teknik.

Sezoni aktual është një tjetër dëshmi e rëndësisë së tij. Valverde ka shënuar tre gola dhe ka dhënë dy asistime, ndërsa është ndër lojtarët më të përdorur nga Mourinho, me 1184 minuta në fushë. Ai ka realizuar gola të rëndësishëm ndaj Interit, AEK-ut dhe Valencias.

Historia e tij me Real Madridin nisi në vitin 2016, kur mbërriti nga Peñarol në moshën 18-vjeçare, për rreth 5 milionë euro. Pas një periudhe te Castilla dhe një huazimi te Deportivo La Coruña, ai u kthye në Madrid dhe u shndërrua gradualisht në një nga lojtarët kryesorë të skuadrës.

Në moshën 28-vjeçare, Valverde ka zhvilluar 387 ndeshje me fanellën e Real Madridit, duke shënuar 44 gola dhe dhënë 46 asistime. Në koleksionin e tij numërohen edhe 14 trofe.

Me marrëveshjen e re, “Skifteri” do të vazhdojë të fluturojë në Madrid të paktën deri në vitin 2031, duke u konfirmuar si një nga figurat kryesore të projektit madrilen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco