E premte, 20 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë, PS nis përgatitjet për zgjedhjet lokale të 2027-ës
Lajme

Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë, PS nis përgatitjet për zgjedhjet lokale të 2027-ës

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur paraditen e kësaj të premteje, në ambientet e Kryeministrisë, ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste. Në fokus të takimit janë përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, si dhe organizimi i strukturave partiake në të gjithë vendin.

Ministrat dhe drejtuesit politikë kanë mbërritur në Kryeministri për të marrë pjesë në mbledhjen e thirrur nga kreu i qeverisë, ku pritet të diskutohen angazhimi i strukturave në nivel lokal, koordinimi i punës në qarqe dhe përcaktimi i prioriteteve për periudhën që paraprin zgjedhjet.

Në këtë proces, ministrave dhe drejtuesve politikë u është caktuar një rol i rëndësishëm në mobilizimin e strukturave dhe forcimin e komunikimit me qytetarët, ndërsa vëmendja pritet të përqendrohet te puna në terren dhe organizimi i bazës socialiste.

Mbledhja zhvillohet në kuadër të nisjes së hershme të përgatitjeve elektorale të Partisë Socialiste, pas Asamblesë Kombëtare të 14 nëntorit, ku u bënë të ditura edhe ndryshime në drejtimin politik të qarqeve.

Ndërkohë, takimi i sotëm vjen një ditë përpara mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste për Tiranën, e parashikuar të zhvillohet të shtunën. Edhe në kryeqytet pritet të përcaktohen hapat e mëtejshëm për organizimin e strukturave dhe drejtimin politik në prag të zgjedhjeve të 9 majit 2027.

Kështu, socialistët kanë nisur të intensifikojnë organizimin e brendshëm, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë porositë konkrete të Ramës për ministrat dhe drejtuesit politikë në funksion të garës së ardhshme vendore.

 

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.